Lidhje


Serbia financon “Beretat e Kuqe” me para publike: veteranët e njësisë famëkeqe rikthehen pranë pushtetit

 

Qeveria e Serbisë ka financuar me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe, një organizatë që mbledh ish-anëtarë të Njësisë për Operacione Speciale të Sigurimit Shtetëror serb, disa prej të cilëve janë lidhur me krime lufte dhe vrasje politike.

 

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, kësaj shoqate i janë ndarë 23 mijë euro në dy vitet e fundit.

 

Shoqata ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve që kur në krye të ministrisë është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici”. Ministria nuk ka dhënë sqarime se për çfarë janë përdorur konkretisht këto para dhe cili është interesi publik i financimit të projekteve të kësaj shoqate.

 

Beretat e Kuqe u krijuan nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe morën pjesë edhe në luftën e Kosovës. Njësia u shpërbë në vitin 2003, gjatë operacionit “Sablja”, pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Disa ish-pjesëtarë të saj janë dënuar për vrasje politike, përfshirë vrasjen e Gjingjiqit, të Ivan Stambolliqit dhe sulme ndaj figurave të opozitës serbe.

 

Sipas të dhënave publike, Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe është themeluar në vitin 2019, ndërsa në vitet 2024 dhe 2025 ka marrë nga 11.500 euro në vit nga Ministria e Punës. Fondet janë miratuar për aktivitete si Turneu Gjithëpërfshirës i Veteranëve dhe projektet “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” dhe “Betimi i lirisë”, por për këto projekte nuk ka informacione të qarta publike se çfarë përfshijnë dhe si janë realizuar.

 

Përfaqësues ligjor i shoqatës është Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-anëtar i Njësisë për Operacione Speciale. Ai është shfaqur publikisht edhe në kampin e mbështetësve të pushtetit në Parkun e Pionierëve në Beograd, ku veteranët e kësaj njësie dhe figura të tjera të diskutueshme kanë marrë pjesë në tubime pro presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë serbe.

 

Sipas gazetarit Filip Shvarm, autor dokumentari për këtë njësi, ngritja e Beretave të Kuqe në nivel “heronjsh” ngre pyetje serioze për vlerat që po promovon pushteti në Serbi. Në një ceremoni të fundit, veteranë të njësisë i shprehën mirënjohje Vuçiqit, duke thënë se me ardhjen e tij në pushtet “njësisë i është rikthyer lavdia”.

XS
SM
MD
LG