Dy miliardë euro për naftën, Vuçiç i pret rrugën biznesmenit serb: “Nuk e lejon Serbia”
Çështja e pronësisë së re të Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, është rikthyer në qendër të vëmendjes pas raportimeve se biznesmeni serb Ranko Mimoviç ka dorëzuar një ofertë prej 2 miliardë eurosh për blerjen e shumicës së aksioneve që aktualisht kontrollohen nga investitorët rusë.
Vetë Mimoviç ka konfirmuar shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se ka bërë një ofertë për aksionet e NIS-it, ndërsa kompania e tij “Senator Dva”, e themeluar vetëm në mesin e vitit të kaluar në Serbi, mbetet pak e njohur për publikun.
NIS është vendosur nën sanksionet amerikane për shkak të pronësisë shumicë ruse, ndërsa Uashingtoni kërkon largimin e kompanive ruse të energjisë nga struktura e aksionerëve deri më 22 maj. Aktualisht, Gazprom Neft dhe Gazprom zotërojnë mbi 56% të aksioneve në kompaninë serbe të naftës. Sipas Reuters, Mimoviç pretendon se pronarët rusë e kanë “pranuar në parim” ofertën e tij dhe se për këtë është informuar edhe OFAC, zyra e Departamentit amerikan të Thesarit që mbikëqyr sanksionet.
Por Moska jep një version krejt tjetër. Gazprom Neft ka deklaruar se po zhvillon negociata vetëm me kompaninë hungareze MOL për shitjen e pjesës së saj në NIS dhe se nuk ka bisedime të tjera për këtë çështje. Edhe MOL ka konfirmuar se negociatat me pronarët rusë janë në vazhdim.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka rrëzuar publikisht seriozitetin e ofertës së Mimoviçit, duke thënë se nuk e njeh biznesmenin dhe se Serbia nuk do ta lejojë një blerje të tillë. “I gjeti dikush dy miliardë. Kompani serbe. A jeni seriozë?”, tha Vuçiç, duke shtuar se shteti serb ka fjalën e tij në këtë proces dhe se NIS-i “nuk mund të blihet” pa miratimin e Serbisë.
Në sfond mbetet pikëpyetja kryesore: a do të kalojë NIS nga kontrolli rus te kompania hungareze MOL, apo oferta misterioze prej 2 miliardë eurosh e një biznesmeni serb do të hapë një front të ri në betejën për kompaninë më strategjike energjetike të Serbisë.