Lidhje


Sanchez e quan ligjin izraelit për dënimin me vdekje për palestinezët një hap drejt aparteidit

 

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e dënoi si një “hap drejt aparteidit” miratimin nga parlamenti izraelit të hënën të një ligji që e bën dënimin me vdekje normë për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse.

 

“Kjo është një masë asimetrike që nuk do të zbatohet për izraelitët që kryejnë të njëjtat krime. I njëjti krim, dënim i ndryshëm. Është një hap tjetër drejt aparteidit. Bota nuk mund të heshtë”, shkroi Sanchez, një nga mbështetësit më të zjarrtë të palestinezëve midis udhëheqësve perëndimorë, në një postim në X.

 

Spanja është përfshirë në një ngërç diplomatik me Izraelin për shkak të kritikave të forta të Madridit ndaj qeverisë izraelite gjatë luftës së Gazës 2023-25, të cilën qeveria spanjolle e ka quajtur gjenocid .

 

Zyrtarët izraelitë e kanë quajtur vazhdimisht qëndrimin e Spanjës antisemit.

 

Përçarja u përkeqësua në mars pasi Spanja kundërshtoi sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, duke bërë që Madridi të tërheqë përgjithmonë ambasadorin e saj në Izrael më 11 mars.

 

Të hënën, Knesseti votoi për ta bërë dënimin me varje si dënim të paracaktuar për palestinezët e dënuar në gjykatat ushtarake për sulme vrasëse, duke përmbushur një premtim nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

 

Më herët sot, Komisioni Evropian tha se vendimi i Izraelit për të miratuar këtë ligj është “thellësisht shqetësues” dhe përbën “një hap të qartë prapa” në aspektin e angazhimit të tij ndaj parimeve demokratike.


Reuters: Franca i ndalon Izraelit përdorimin e hapësirës ajrore për transportimin e armëve amerikane

 

Franca nuk e ka lejuar Izraelin të përdorë hapësirën e saj ajrore për të transportuar armë amerikane të destinuara për përdorim në një luftë kundër Iranit.

 

Sipas Reuters ky ishte refuzimi i parë nga Franca që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Ndërkohë, as presidenca franceze dhe as ministria e jashtme nuk kanë dhënë një reagim për këtë situatë.


WSJ: SHBA-të do të dërgojnë aeroplanmbajtësen USS George Bush në Lindjen e Mesme

 

SHBA – të po dërgojnë aeroplanmbajtësen George HW Bush në Lindjen e Mesme , e cila do të shoqërojë anijet USS Abraham Lincoln dhe USS Gerald R. Ford , në mes të luftës së vazhdueshme kundër Iranit, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.

 

Ditët e ardhshme të luftës në Lindjen e Mesme do të jenë “vendimtare”, tha më herët sot Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth. “Ne kemi gjithnjë e më shumë mundësi, dhe ata kanë më pak… Vetëm brenda një muaji, ne vendosëm kushtet, ditët e ardhshme do të jenë vendimtare”, theksoi Hegseth në një konferencë për shtyp.


Araghchi zbulon: Marr mesazhe drejtpërdrejt nga Witkoff por nuk jemi ne negociata

 

Qeveria e Iranit ende nuk ka marrë ndonjë vendim nëse do të marrë pjesë në negociata me Shtetet e Bashkuara , tha Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi , duke shprehur mosbesim të fortë ndaj Uashingtonit. Ai tha se niveli i besimit të Teheranit në Shtetet e Bashkuara është “zero” dhe konfirmoi se ka një shkëmbim mesazhesh me të dërguarin special të Donald Trump , por nuk po zhvillohen negociata.

 

Duke folur për rrjetin televiziv Al Jazeera të Katarit, kreu i diplomacisë iraniane theksoi se Teherani nuk beson se bisedimet me Uashingtonin mund të çojnë në ndonjë rezultat.

 

“Nuk kemi besim se negociatat me SHBA-në do të sjellin rezultate. Niveli i besimit është në zero”, tha ai, duke vënë në dukje se pala iraniane “nuk sheh ndershmëri” nga pala tjetër.

 

Abbas Araghchi theksoi se Teherani nuk do të pranonte thjesht një armëpushim që do të parashikonte pezullimin e sulmeve vetëm kundër Iranit.

 

Siç vuri në dukje ai, pala iraniane do të pranonte vetëm një ndërprerje të plotë të armiqësive në rajon, duke iu referuar indirekt zhvillimeve në Liban, ku Izraeli u përfshi në një luftë të re me lëvizjen shiite Hezbollah, e cila është afër Republikës Islamike, në fillim të marsit.

 

Ministri i jashtëm i Iranit zbuloi se ka komunikim të drejtpërdrejtë me palën amerikane, përmes një shkëmbimi mesazhesh me të dërguarin special të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff.

 

“Po marr mesazhe nga Witkoff direkt, si më parë”, tha ai, duke sqaruar megjithatë se kjo “nuk do të thotë se jemi në negociata”.

 

Abbas Araghchi theksoi se Teherani nuk i është përgjigjur propozimit prej 15 pikash që thuhet se është paraqitur nga Uashingtoni, dhe as nuk ka paraqitur kundërpropozimin e vet.

 

“Pretendimi (nga Uashingtoni) për negociata me këdo në Iran nuk është i vërtetë”, theksoi ai, duke përsëritur se deri më tani nuk ka marrëveshje për të filluar bisedime zyrtare.


Plas dhuna në Haiti - 70 të vdekur nga sulmet e bandave në qytetin Petite Riviere

 

Më shumë se 70 persona u vranë në një sulm bandash natën e së shtunës ndaj të dielës në qytetin Petit Riviere në departamentin Artibonite në Haitin qendror , tha sot i dërguari special i OKB-së në vend.

 

“Të paktën 70 të vdekur në sulme të dhunshme dhe të koordinuara në disa vende në Petit Rivière të Artibonite”, vuri në dukje Carlos Ruiz Massier në një postim në “X”.
 

Ai vazhdoi: “Kjo dhunë e verbër është një tjetër kujtesë e nevojës urgjente për mbështetje të shtuar në Haiti për të luftuar plagën e bandave dhe rrjeteve që i mbështesin ato.” 

 

Numri i përkohshëm i njoftuar nga policia haitiane të hënën ishte të paktën 16 të vdekur , por organizatat e të drejtave të njeriut kishin shprehur frikë se numri i viktimave do të rritej në mënyrë dramatike.

 

Sipas autoriteteve lokale, anëtarët e bandës “Gran Grif” nisën një sulm në lagjen Jean Denis rreth orës 3 të mëngjesit, duke i vënë flakën shtëpive . Shumë banorë të Petit Rivière ikën nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar. 

 

Një raport i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i publikuar javën e kaluar, tha se dhuna e bandave dhe operacionet për të luftuar krimin e organizuar në Haiti kanë shkaktuar më shumë se 5,500 vdekje midis marsit 2025 dhe mesit të janarit 2026.

 

Haiti , vendi më i varfër në Hemisferën Perëndimore, është prekur prej vitesh nga dhuna e bandave kriminale , të cilat kryejnë vrasje, përdhunime, plaçkitje dhe rrëmbime.

XS
SM
MD
LG