Lidhje


Skandal në BE! Orbán i ofrohet Putinit: “Në dispozicion për çdo gjë” – del transkripti i telefonatës

 

Detaje të reja nga një telefonatë mes kryeministrit hungarez Viktor Orbán dhe presidentit rus Vladimir Putin në tetor kanë nxitur reagime, pasi tregojnë gatishmërinë e Budapestit për të ndihmuar Moskën në lidhje me luftën në Ukrainë. Sipas një transkripti të publikuar nga qeveria hungareze dhe të analizuar nga Bloomberg, Orbán i ka thënë Putinit se ishte “në dispozicion për çdo gjë” dhe i gatshëm të organizonte një samit në Budapest për t’i dhënë fund konfliktit. “Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa mund të ndihmoj në çdo mënyrë”, citohet të ketë thënë Orbán, duke përdorur edhe një metaforë nga fabulët e Ezopit, gjë që, sipas raportimeve, shkaktoi të qeshura nga Putini.

 

Në reagimin e tij për Bloomberg, Orbán tha se të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe Donald Trump, duke shtuar: “Madhësia ka rëndësi”. Telefonata vjen në një moment të ndjeshëm politik për Hungarinë, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje, me sondazhe që sugjerojnë se Orbán mund të përballet me një sfidë serioze pas 16 vitesh në pushtet. Gjatë bisedës, të dy liderët shprehën vlerësim për njëri-tjetrin dhe diskutuan edhe për një samit të mundshëm me pjesëmarrjen e Trump, i cili në fund nuk u realizua. Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan J. D. Vance vizitoi Budapestin në prag të zgjedhjeve. Orbán e përshkroi marrëdhënien me Putinin si më të fortë se kurrë, ndërsa presidenti rus vlerësoi qëndrimin “të pavarur dhe fleksibël” të Hungarisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Hungaria ka kundërshtuar vazhdimisht ndihmën për Ukraina, ndërsa retorika e qeverisë hungareze shpesh e portretizon presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si kundërshtar.

 

Akuza dhe përplasje politike


Zbulimet vijnë pas raportimeve se ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka ndarë informacione me Moskën mbi diskutimet brenda Bashkimit Evropian, akuza që ai i ka mohuar. Ndërkohë, lideri i opozitës Péter Magyar ka premtuar se do ta rikthejë Hungarinë në linjën kryesore të politikave evropiane dhe do të distancohet nga Rusia nëse fiton zgjedhjet. Biseda mes Orbán dhe Putin nisi me urimet për ditëlindjen e liderit rus dhe përfundoi në një ton miqësor, me shkëmbime batutash për jetën personale dhe aktivitetet sportive, duke reflektuar raportet e ngushta mes dy liderëve.


Kërcënon Garda Revolucionare: E kemi gishtin te këmbëza, gati për t’u përgjigjur!

 

Garda Revolucionare ka bërë sot deklaratë të fortë në drejtim të perëndimit. Disa orë pas deklarimit të armëpushimit, Garda pohon se e kanë “gishtin në këmbëz” dhe është gati t’i përgjigjet “çdo sulmi me forcë më të madhe”. Lajmi konfirmohet nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.

 
 Deklarata e Gardës Revolucionare vjen menjëherë pasi Presidenti iranian Masoud Peskov tha se armëpushimi i shpallur këtë mëngjes ishte në përputhje me “kërkesat e përgjithshme të Teheranit”.
 

Siç deklaroi ai në postimin e tij në “X”: “Armëpushimi, me pranimin e kërkesave të përgjithshme të Iranit, ishte fryt i gjakut të udhëheqësit tonë martir, Khamenei-t të madh, dhe rezultat i pjesëmarrjes së të gjithë popullit. Nga sot, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, qoftë në fushën e diplomacisë, apo në mbrojtje, apo në rrugë, apo në fushën e shërbimit publik.”


Armëpushimi 2 javor/ Vance: Nëse iranianët negociojnë me mirëbesim me SHBA mund të kemi marrëveshje paqeje

 

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës JD Vance ka reaguar sërish lidhur me luftën në Iran.

 

Ai është shprehur se nëse iranianët negociojnë me SHBA-në “me mirëbesim”, mund të arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit. Gjithashtu Vance theksoi se arritja e marrëveshjes së armëpushimit, mbetet gjithsesi “e brishtë”.

 

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më tha mua, si dhe të gjithë ekipit negociator – shkoni dhe punoni me mirëbesim për të arritur një marrëveshje. Kjo është ajo që na tha ai të bënim. Nëse iranianët janë të gatshëm me mirëbesim të bashkëpunojnë me ne, mendoj se mund të arrijmë një marrëveshje. Trump është i paduruar. Ai është i paduruar për të bërë përparim”, tha Vance. Këto deklarata Vance i ka bërë gjatë vizitës së tij në Hungari.


Bisedimet në Pakistan - Cilat janë 10 pikat e Iranit në tryezë me SHBA-të?

 

Pas përshkallëzimit të fortë ushtarak në Gjirin Persik dhe kërcënimeve për një ofensivë të re amerikane, më 7 prill 2026 presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi arritjen e një armëpushimi 2-javor me Iranin, i ndërmjetësuar nga Pakistani. Sipas raportimeve të Reuters, kjo marrëveshje erdhi në momentet e fundit, kur Pentagoni po përgatitej për një valë të re goditjesh ndaj infrastrukturës iraniane.

 

Armëpushimi ka si qëllim të krijojë një dritare negociatash, ndërsa tensionet mbeten të larta. Një nga zhvillimet më të rëndësishme është fakti që Irani ka sinjalizuar gatishmëri për të lejuar kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nyje strategjike ku kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me energji. Ky zhvillim ka sjellë reagim të menjëhershëm në tregje, me rënie të çmimeve të naftës.

 

Paralelisht, sipas The Guardian dhe Al Jazeera, Irani ka paraqitur një plan me 10 pika, i cili shihet si baza e tij negociuese për kalimin nga armëpushimi në një marrëveshje më të gjerë. Në anën tjetër, SHBA hyn në negociata me një paketë kërkesash më të ashpra, duke krijuar një hendek të madh mes palëve.

 

Negociatat pritet të zhvillohen në Islamabad, ku fokusi do të jetë në disa çështje kyçe: kontrolli i Hormuzit, programi bërthamor, sanksionet dhe prania ushtarake amerikane në rajon. Burimet ndërkombëtare theksojnë se diferencat janë ende të thella, sidomos për rolin e Iranit në rajon dhe për mënyrën e trajtimit të sanksioneve.

 

Në thelb, armëpushimi i 7 prillit konsiderohet më shumë si një pauzë taktike sesa një zgjidhje përfundimtare. Fati i tij do të varet nga negociatat në ditët në vijim dhe nga gatishmëria e palëve për të bërë lëshime në pikat më të ndjeshme.

 

10 pikat e Iranit

  1. Krijimi i një protokolli të sigurt tranziti në Ngushticës së Hormuzit që garanton dominimin e Iranit
  2. Kalim i kontrolluar i anijeve në koordinim me forcat iraniane
  3. Përfundimi i luftës kundër “boshtit të rezistencës”
  4. Tërheqja e plotë e forcave ushtarake të SHBA nga rajoni
  5. Pagesa e plotë e dëmeve të Iranit
  6. Heqja e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare
  7. Heqja e rezolutave ndërkombëtare kundër Iranit
  8. Lirimi i të gjitha aseteve dhe pronave të ngrira jashtë vendit
  9. Formalizimi i marrëveshjes në një rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB
  10. Njohja e rolit ekonomik dhe gjeopolitik të Iranit në rajon


Armëpushimi dy-javor me Iranin - Cilat janë 15 pikat e SHBA-ve në negociata?

 

Pas një përshkallëzimi të rrezikshëm që e çoi rajonin në prag të një përplasjeje të gjerë ushtarake, mbrëmjen e 7 prillit 2026 presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi arritjen e një armëpushimi 2-javor me Iranin, i ndërmjetësuar nga Pakistan. Sipas raportimeve të Reuters dhe The Guardian, marrëveshja erdhi pas një faze intensive presioni diplomatik dhe kërcënimesh për një ofensivë të re amerikane.

 

Armëpushimi parashikon një ndalesë të përkohshme të operacioneve ushtarake për 14 ditë, duke hapur një dritare negociatash për një marrëveshje më të gjerë. Një nga elementët kyç që u arrit paralelisht është angazhimi për sigurimin e kalimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, arteria kryesore e energjisë globale, që ishte kthyer në pikën më kritike të krizës. Menjëherë pas njoftimit, tregjet reaguan me ulje të çmimeve të naftës, duke reflektuar lehtësimin e përkohshëm të tensioneve.

 

Në të njëjtën kohë, burime diplomatike të cituara nga mediat ndërkombëtare konfirmojnë se Irani ka paraqitur një plan me 10 pika, ndërsa pala amerikane po hyn në negociata me një kornizë të zgjeruar kërkesash, që në media po referohet si “15 pikat e SHBA-së”. Kjo paketë përmbledh temat kryesore mbi të cilat pritet të zhvillohet beteja diplomatike në ditët në vijim.

 

Takimi i radhës pritet të zhvillohet në Islamabad, ku delegacionet do të tentojnë të kthejnë armëpushimin në një marrëveshje më të qëndrueshme. Sipas raportimeve, negociatat do të fokusohen në katër shtylla kryesore: siguria rajonale, kontrolli i Hormuzit, programi bërthamor iranian dhe arkitektura e heqjes së sanksioneve.

 

Pika më e ndjeshme mbetet Ngushtica e Hormuzit, ku SHBA kërkon garantimin e kalimit të lirë dhe të pakushtëzuar të naftës, ndërsa Irani synon të ruajë ndikimin e tij strategjik. Po ashtu, një tjetër nyje e fortë është programi bërthamor, ku Uashingtoni kërkon kufizime të forta dhe inspektime ndërkombëtare, ndërsa Teherani kërkon njohjen e të drejtave të tij.

 

Në planin ushtarak, SHBA kërkon ndërprerjen e plotë të sulmeve nga grupet aleate të Iranit në rajon, ndërsa Irani kërkon garanci sigurie dhe lehtësim të sanksioneve ekonomike. Këto diferenca e bëjnë të paqartë nëse armëpushimi i 7 prillit do të jetë një hap drejt paqes apo thjesht një pauzë taktike.

 

15 pikat e SHBA-së që pritet të negociohen

  1. Armëpushim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm
  2. Ndalimi i sulmeve ndaj forcave amerikane
  3. Ndalimi i sulmeve ndaj Izraelit
  4. Ndërprerja e veprimeve të grupeve proxy (Hezbollah, milicitë, Houthis)
  5. Mekanizëm ndërkombëtar monitorimi
  6. Tërheqje graduale e ndikimit ushtarak iranian nga Irak dhe Siri
  7. Ndalimi i furnizimit me armë për grupet militante
  8. Reduktim i pranisë së Gardës Revolucionare jashtë Iranit
  9. Angazhim për ulje të tensioneve në rajon
  10. Hapje e plotë e Ngushticës së Hormuzit
  11. Siguri e garantuar për transportin ndërkombëtar të energjisë
  12. Ndalim i çdo pengese iraniane mbi trafikun detar
  13. Mos-përdorimi i energjisë si mjet presioni politik
  14. Kufizim i fortë i programit bërthamor
  15. Inspektime ndërkombëtare dhe garanci për moszhvillim armësh bërthamore

XS
SM
MD
LG