Lidhje


Diplomacia në alarm: Emisari i Guterres zbarkon në Iran – mesazhi i fortë që mund të vendosë fatin e luftës!

 

I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, ka mbërritur në Iran si pjesë e një turi rajonal për të mbështetur përpjekjet drejt një “zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” të luftës me Iranin. Sipas Kombeve të Bashkuara, ai pritet të vizitojë edhe Pakistanin, një ndërmjetës kyç.

 

Jean Arnault do të dëgjojë qëndrimet e Iranit “mbi rrugën përpara” dhe do të përsërisë angazhimin e Guterres për të mbështetur një zgjidhje paqësore, thuhet në një deklaratë të OKB-së.

 

Arnault gjithashtu u bëri thirrje të gjithë liderëve që “të zgjedhin rrugën e zgjidhjes paqësore dhe mbrojtjen e civilëve”.

 

Diplomati me përvojë i OKB-së, i emëruar si i dërguar i Guterres për këtë konflikt muajin e kaluar, u nis drejt Lindjes së Mesme të hënën, por OKB-ja nuk ka dhënë detaje të plota mbi itinerarin e tij.

 

Zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha se Arnault ishte në rrugë drejt Teheranit dhe synonte të takohej me zyrtarë qeveritarë. Ai shtoi se Arnault pritet të vizitojë edhe Pakistanin në ditët në vijim, vend që ka ndihmuar në arritjen e armëpushimit.

 

Haq theksoi se Guterres e ka mirëpritur armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por OKB-ja mbetet e shqetësuar për përleshjet në zona të tjera.

 

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin,” tha Haq gjatë një konference të rregullt për shtyp. “Jemi të shqetësuar se çdo dhunë në një pjesë të rajonit mund të rrezikojë marrëveshjet e arritura për pjesën tjetër, ndaj duam të sigurohemi që luftimet të ndalen kudo.”

 

Ai shtoi se u takon vetë palëve të përcaktojnë kushtet e armëpushimit dhe mënyrën e zbatimit të tij.

 

“Prioriteti ynë është që armëpushimi të zgjasë, luftimet të ndalen dhe të garantohet liria e lëvizjes për anijet në Ngushticën e Hormuzit,” tha Haq, duke iu referuar korridorit kyç të transportit energjetik që është bllokuar nga Irani.


Xi Jinping: Kina “absolutisht nuk do të tolerojë” pavarësinë e Tajvanit

 

Kina “absolutisht nuk do të tolerojë” pavarësinë e Tajvanit, i cili është fajtori kryesor në minimin e paqes në Ngushticën e Tajvanit, i tha Presidenti Xi Jinping udhëheqësit të opozitës së ishullit të premten, duke bërë thirrje për përpjekje për të çuar përpara “ribashkimin”.

 

Cheng Li-wun, kryetare e partisë më të madhe opozitare të Tajvanit, Kuomintang (KMT), ndodhet në Kinë në atë që ajo e ka quajtur një mision paqeje për të ulur tensionet në një kohë kur Pekini ka rritur presionin ushtarak kundër ishullit që e pretendon si territor të tij.

 

Në takimin në Sallën e Madhe të Popullit, Xi i tha Cheng-ut se bota e sotme nuk është plotësisht në paqe dhe paqja është e çmuar.

 

“Bashkatdhetarët në të dyja anët e ngushticës janë të gjithë kinezë – njerëz të një familjeje që duan paqe, zhvillim, shkëmbim dhe bashkëpunim”, tha ai, në komentet e transmetuara nga stacionet televizive të Tajvanit, shkruan Reuters.

 

Të dyja anët e ngushticës i përkasin “një Kine të vetme”, shtoi Xi, sipas një njoftimi të veçantë të medias shtetërore.

 

“Kur familja është harmonike, të gjitha gjërat do të përparojnë”, tha ai. “Pavarësia e Tajvanit është fajtorja kryesore në minimin e paqes në Ngushticën e Tajvanit – ne absolutisht nuk do ta tolerojmë ose miratojmë atë.”

 

Xi përmendi gjithashtu temën e ndërlikuar të bashkimit midis Kinës dhe Tajvanit, i cili ka qenë prej kohësh qëllimi i Pekinit, por që qeveria e Tajvanit e refuzon.

 

“KMT dhe Partia Komuniste duhet të konsolidojnë besimin e ndërsjellë politik, të ruajnë bashkëveprimin pozitiv, të bashkojnë bashkatdhetarët në të dyja anët e ngushticës dhe të bashkojnë forcat për të krijuar një të ardhme të ndritur të ribashkimit të atdheut dhe përtëritjes kombëtare”, tha ai.

 

Kina refuzon të flasë me Presidentin e Tajvanit Lai Ching-te, duke thënë se ai është një “separatist”. Administrata e Lai i ka bërë thirrje Cheng-ut t’i thotë Kinës të ndalojë kërcënimet e saj dhe thotë se Pekini duhet të bashkëpunojë me qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Taipei.

 

Duke folur me gazetarët në Taipei të premten, Hsu Kuo-yung, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Progresive në pushtet të Tajvanit, kritikoi Kuomint-in për vazhdimin e pengimit të miratimit parlamentar për shpenzimet e mbrojtjes ndërsa Cheng është në Kinë.


WSJ: Trump dëshiron të tërheqë trupat nga vendet e NATO-s që nuk e ndihmuan kundër Iranit

 

Administrata e Donald Trump po shqyrton një plan për të vendosur sanksione ndaj disa vendeve të NATO, të cilat i konsideron se nuk kanë bashkëpunuar mjaftueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin gjatë konfliktit me Iranin.

 

Lajmi është publikuar nga The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me diskutimet brenda administratës.

 

Sipas raportimit, propozimi parashikon tërheqjen e trupave amerikane nga vendet e NATO-s që konsiderohen më pak të dobishme për përpjekjet ushtarake kundër Iranit. Më pas, këto forca do të ripozicionoheshin në shtetet që kanë ofruar mbështetje më të fortë për fushatën amerikane.

 

Ky zhvillim përkon me vizitën në Shtëpia e Bardhë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Megjithatë, plani duket ende larg kërcënimeve të mëparshme të Trump për një tërheqje të plotë të SHBA-së nga aleanca ushtarake.

 

Sipas legjislacionit amerikan, një vendim i tillë nuk mund të zbatohet pa miratimin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa analistët vlerësojnë se është pak e mundur që një shumicë e mjaftueshme të mbështesë një hap kaq drastik.


Gjermania i bën thirrje Iranit të respektojë armëpushimin dhe të lirojë Ngushticën e Hormuzit

 

Ministri i Jashtëm gjerman Johan Vandeful i bëri thirrje homologut të tij iranian Abbas Araghchi që të respektojë armëpushimin e rënë dakord me SHBA-në.

 

Gjithashtu ai kërkon që Irani të lejojë lundrim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit.

 

“I bëra thirrje Iranit që të respektojë armëpushimin, të angazhohet në negociata konstruktive dhe të lejojë lundrim të lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha Vandeful nëpërmjet X.

 

Po ashtu, ministrja Federale e Ekonomisë e përshkroi Ngushticën e Hormuzit si një “burim të rëndësishëm pasigurie”.

 

Në një deklaratë për Bild, Katharina Reiche tha se “armëpushimi i rënë dakord është një shenjë e parë e kujdesshme e deeskalimit”, por theksoi se “në të njëjtën kohë ne shohim gjithashtu se sa e brishtë dhe kritike është”.

 

Ngushtica e Hormuzit mbetet një burim i rëndësishëm pasigurie si një nga arteriet më të ndjeshme të tregut global të energjisë dhe madje edhe shqetësimet e vogla mund të shkaktojnë luhatje të mëdha çmimesh”, tha Reiche, duke pranuar se “ende nuk është e qartë se kur do të hapet në të vërtetë”.


Manipulimi i zgjedhjeve me AI: Eksperimenti që zbulon si ‘ushtri fantazmë’ mund të kontrollojë opinionin publik

 

Një eksperiment me agjentë të krijuar me Inteligjencë Artificiale tregon se si mund të gjenerohet një fushatë propagande për të ndikuar opinionin publik dhe përfundimin e zgjedhjeve.

 

Edhe pse ajo që në ekran duket si një debat i vërtetë online gjatë zgjedhjeve, debati mund të jetë produkt i Inteligjencës Artificiale.

 

Studiuesit paralajmërojnë se rrjetet e agjentëve të Inteligjencës Artificiale mund të punojnë së bashku, të koordinojnë fushata dezinformimi gjatë zgjedhjeve, duke vërshuar në mediat sociale me propagandë, në mënyrë të pavarur dhe në shkallë të gjerë dhe të ndikojnë opinionin publik.

 

Eksperiment me ndihmën e Inteligjencës Artificiale

 

Në një studim të kohëve të fundit shkencëtarët e testuan këtë fenomen në një platformë sociale të simuluar, të ngjashme me platformën X. Ata krijuan me Inteligjencë Artificiale 50 agjentë, 40 syresh vepruan si përdorues të rregullt dhe 10 të tjerët si operatorë që kishin si qëllim promovimin e një kandidati fiktiv.

 

Shkencëtarët  testuan tre skenarë: agjentë me një qëllim të vetëm; agjentë që i njihnin shokët e tyre të ekipit dhe agjentë që mund të planifikonin strategji së bashku.

 

Rezultati kryesor i eksperimentit ishte se thjesht të dije se kush ishte në të njëjtin ekip, ishte e mjaftueshme për të krijuar një sjellje të koordinuar, pothuajse aq frytdhënëse sa planifikimi së bashku.

 

Produkti ishte thuajse njësoj si bisedat e vërteta online: mendime të ndryshme, përgjigje dhe mbështetje në rritje rreth një mesazhi të vetëm.

 

Më efektivë se robotët

 

Kjo risi është shumë e ndryshme nga fushatat tradicionale me ndihmën e robotëve. Metodat e vjetra robotike ndjekin skenarë të thjeshtë: “postoni këtë, ricikloni atë”, duke i bërë më të lehtë për t’u zbuluar.

 

Kurse sistemet e agjentëve të Inteligjencës Artificiale ngjasojnë më shumë me përdoruesit e vërtetë.

 

Rrezik me pasoja ende të paparashikueshme

 

Edhe pse ky ishte vetëm një simulim, pasojat janë reale. Sisteme të tilla mund të formësojnë opinionin publik dhe të rrisin përçarjen në zgjedhjet e ardhshme.

 

Dhe ato mund të jenë shumë më të vështira për t’u zbuluar, sepse nuk ka të bëjë vetëm me atë që postojnë llogaritë individuale, por edhe me mënyrën se si rrjetet e llogarive veprojnë së bashku. Dhe është ende e paqartë, nëse platformat mund ta përballojnë këtë./DW/

XS
SM
MD
LG