Vuri bast për kapjen e Maduros, ushtari amerikan i forcave speciale arrestohet pasi fitoi 400 mijë dollarë
Një nënoficer i lartë i forcave speciale amerikane është arrestuar nga autoritetet federale, pasi dyshohet se përfitoi financiarisht nga informacioni sekret mbi operacionin për kapjen e presidentit venezuelian, Nicolás Maduro.
Sipas aktakuzës së bërë publike nga prokurorët federalë në Nju Jork, Master Sergeant Gannon Ken Van Dyke, pjesëtar aktiv i ushtrisë amerikane dhe i stacionuar në Fort Bragg, akuzohet se ka përdorur informacione të klasifikuara për të vendosur baste në platformën e parashikimeve Polymarket mbi rrëzimin e Maduros nga pushteti.
Hetimet tregojnë se Van Dyke hapi një llogari në fund të muajit dhjetor dhe vendosi rreth 32 mijë dollarë baste, duke parashikuar se Maduro do të largohej nga pushteti para fundit të janarit. Vetëm pak ditë më vonë, pas realizimit të operacionit ushtarak amerikan, ai dyshohet se siguroi fitime që kapën vlerën e mbi 400 mijë dollarëve.
Prokurorët pretendojnë se ushtaraku ishte drejtpërdrejt i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacionit sekret, çka i dha atij akses në informacione konfidenciale përpara se të kryente bastet. Ky informacion, sipas autoriteteve, u përdor për përfitim personal në kundërshtim me ligjin federal.
Pas fitimit, Van Dyke dyshohet se transferoi fondet në një portofol të huaj kriptomonedhash dhe më pas i depozitoi ato në një llogari brokerimi online, në një përpjekje për të fshehur origjinën e tyre.
Ai përballet me pesë akuza penale, përfshirë mashtrim, vjedhje dhe përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial të qeverisë amerikane. Paralelisht, Komisioni Amerikan për Tregtimin e Kontratave të së Ardhmes (CFTC) ka ngritur një padi civile, duke kërkuar kthimin e fitimeve dhe vendosjen e gjobave financiare.
Rasti konsiderohet precedent i rëndësishëm, pasi shënon një nga rastet e para ku autoritetet amerikane trajtojnë përdorimin e informacionit të klasifikuar në tregjet e parashikimeve njësoj si tregtimin e brendshëm në bursë.
Ngjarja ka rindezur debatin mbi rregullimin e platformave të basteve politike dhe gjeopolitike, të cilat po fitojnë popullaritet të madh në mbarë botën.