Lidhje


Tronditje në SHBA: Demokratët nisin shkarkimin e shefit të Pentagonit për ‘luftë të paligjshme’ ndaj Iranit!

 

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së prezantuan të mërkurën gjashtë nene shkarkimi (impeachment) kundër kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, duke e akuzuar për “krime të rënda dhe shkelje të rënda” (high crimes and misdemeanors), përfshirë zhvillimin e luftës kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.

 

Rezoluta për shkarkim drejtohet nga Yassamin Ansari, një kongresmene demokrate nga Arizona, dhe ka pak gjasa të miratohet për shkak të shumicës republikane në Dhomë.

 

Shkarkimi (impeachment) është procesi përmes të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza ndaj një zyrtari qeveritar për shkelje të pretenduara, ndërsa largimi nga detyra është i mundur vetëm nëse Senati e dënon pas një gjyqi.

 

“Kam prezantuar nenet e shkarkimit kundër Pete Hegseth për shkelje të betimit të tij, vënien në rrezik të ushtarakëve amerikanë dhe kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë sulmet ndaj civilëve dhe një shkolle vajzash në Minab, Iran,” shkroi Ansari në platformën X.

 

“Vetëm Kongresi mund të shpallë luftë; veprimet e tij kërkojnë largim të menjëhershëm.”

 

Lufta në Lindjen e Mesme ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe ka goditur vlerësimet e Donald Trump përpara zgjedhjeve të rëndësishme të ndërmjetme në nëntor.

 

Neni i parë i shkarkimit pretendon se Hegseth nisi konfliktin me Iranin “pa një shpallje lufte ose autorizim të veçantë nga Kongresi” dhe “duke ekspozuar me vetëdije anëtarët e Forcave të Armatosura të SHBA-së ndaj një rreziku të konsiderueshëm dhe të parashikueshëm për lëndime ose vdekje”.

 

Një tjetër nen e bën Hegseth përgjegjës për një sulm ndaj një shkolle fillore në Iran më 28 shkurt – ditën kur SHBA dhe Izraeli nisën bombardimet – ku u vranë të paktën 170 persona, përfshirë nxënës dhe mësues.

 

The New York Times ka raportuar se gjetjet paraprake të një hetimi ushtarak amerikan tregojnë se një raketë “Tomahawk” goditi shkollën për shkak të një gabimi në shënjestrim.

 

Dokumenti i demokratëve thotë se sekretari i Mbrojtjes “ka autorizuar, toleruar ose nuk ka parandaluar përdorimin e forcës ushtarake në mënyrë që bie ndesh me ligjin e konflikteve të armatosura”, duke përfshirë sulmin ndaj shkollës.

 

Demokratët kritikuan gjithashtu Hegseth për të ashtuquajturat sulme “double tap” (goditje të dyfishta) kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe.

 

Sipas tyre, këto sulme janë të paligjshme dhe minojnë rregullat e angazhimit të dizajnuara për të mbrojtur civilët.

 

Akuza të tjera përfshijnë “neglizhencë dhe trajtim të papërgjegjshëm” të informacionit të ndjeshëm ushtarak, si dhe pengim të mbikëqyrjes së Kongresit, duke iu referuar përdorimit nga Hegseth të aplikacionit komercial të mesazheve Signal për të diskutuar sulmet në Jemen.

 

Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, i tha medias Axios se “kjo është thjesht një tjetër përpjekje e demokratëve për të tërhequr vëmendje, ndërsa Departamenti i Luftës ka arritur në mënyrë vendimtare dhe dërrmuese objektivat e Presidentit në Iran.”

 

XS
SM
MD
LG