Financial Times: Irani përdori satelit kinez për të goditur me saktësi
Sipas një raporti të Financial Times, Irani ka përdorur një satelit kinez për të mbledhur inteligjencë mbi bazat e Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme, duke mundësuar kryerjen e sulmeve të sakta gjatë konfliktit.
Raporti thekson se Teherani ka siguruar akses në satelitin TEE-01B menjëherë pas lëshimit të tij në vitin 2024, përmes një marrëveshjeje me kompaninë kineze Emposat, e cila menaxhon të dhënat e mbledhura.
Falë imazheve me rezolucion të lartë, më të avancuara se ato të satelitit iranian Noor-3, forcat e Pasdaran kanë monitoruar nga afër pozicionimin e forcave amerikane, duke përfshirë bazën ajrore Prince Sultan në Arabia Saudite, e cila u godit më pas me raketa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Objektiva të tjera të vëzhguara përfshinin instalime ushtarake në Jordani, Xhibuti, Oman, Bahrein, si dhe zona strategjike në Kuvajt dhe rajonin e Erbil. Disa prej këtyre objektivave u goditën më pas me dronë dhe raketa kamikaze.
Raporti sugjeron gjithashtu se mungesa e masave mbrojtëse në disa baza amerikane, si mungesa e bunkerëve për avionët, ka lehtësuar identifikimin dhe goditjen e tyre.
Ndërkohë, kompani kineze si MizarVision kanë publikuar më herët imazhe të lëvizjeve ushtarake amerikane në rrjetet sociale, duke përfshirë zhvendosjen e aeroplanmbajtëses Ford dhe avionëve F-22 në rajon.
Megjithëse Kina ka mohuar çdo bashkëpunim të tillë, raporti e vendos këtë zhvillim në kuadër të një bashkëpunimi më të gjerë mes Pekinit dhe Teheranit, që përfshin furnizime ushtarake, teknologji me përdorim të dyfishtë dhe mbështetje në fusha të ndryshme strategjike.