Lidhje


KUJDES! Ankaraja rrëzon FAKE NEWS-in: Erdogan NUK ka kërcënuar Izraelin me ndërhyrje ushtarake!

 

Autoritetet turke kanë reaguar zyrtarisht ndaj një deklarate që ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale dhe në disa media si The Telegraph apo The Jerusalem Post, etj., sipas së cilës presidenti Recep Tayyip Erdoğan do të kishte thënë se “çdo sulm ndaj Iranit apo Libanit do të konsiderohej si sulm ndaj Turqisë” apo edhe "Ashtu siç hymë në Karabak, ashtu siç hymë në Libi, do të bëjmë të njëjtën gjë ndaj tyre (Izraelit)". Përmes një reagimi publik, Dezenformasyonla Mücadele Merkezi, që funksionon nën Drejtorinë e Komunikimit të Presidencës së Turqisë, e ka cilësuar këtë pretendim si plotësisht të pavërtetë dhe manipulues, duke theksuar se bëhet fjalë për një rast tipik dezinformimi të shpërndarë në mënyrë të qëllimshme.

 

Në deklaratën e saj të plotë, e përkthyer në shqip, theksohet se në disa platforma të mediave sociale dhe atyre tradicionale janë shpërndarë deklarata që i atribuohen presidentit Erdogan, sipas të cilave një sulm ndaj Iranit ose Libanit do të konsiderohej si sulm ndaj Turqisë, por këto pretendime janë krejtësisht të pabazuara. Sipas autoriteteve turke, Republika e Turqisë, nën udhëheqjen e Erdoganit, ka qenë vazhdimisht një zë i arsyes në tensionet dhe konfliktet në rajon, duke ndjekur një qasje konstruktive në mbrojtje të paqes, mirëqenies dhe sigurisë, një qëndrim që, sipas tyre, vlerësohet në nivel ndërkombëtar.

 

Më tej, në deklaratë thuhet se qëllimi i këtyre pretendimeve të pavërteta është të zbehin rolin e Turqisë në ndërtimin e paqes rajonale, ta tërheqin vendin në konflikte dhe kriza, si dhe të manipulojnë opinionin ndërkombëtar përmes krijimit të një perceptimi të rremë. Autoritetet bëjnë thirrje që të mos u jepet besim këtyre postimeve manipuluese, të cilat i cilësojnë si pjesë e propagandës së zezë dhe taktikave të luftës psikologjike, duke theksuar se vetëm deklaratat nga kanalet zyrtare duhet të konsiderohen të besueshme. Po ashtu, ato nënvizojnë se lufta kundër operacioneve të tilla të perceptimit do të vazhdojë me vendosmëri.

 

Kjo deklaratë e rreme u përhap fillimisht në rrjete sociale dhe më pas u amplifikua nga llogari të ndryshme, shpesh pa verifikim, duke u paraqitur si një kërcënim i drejtpërdrejtë i Turqisë ndaj Izraelit në kontekstin e tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme. Klima aktuale, e karakterizuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, tensionet në Liban dhe roli i Hezbollah, si dhe retorika e fortë e Ankarasë ndaj operacioneve izraelite në Gaza, e bëri këtë pretendim edhe më të besueshëm për një pjesë të opinionit publik.

 

Megjithatë, përgënjeshtrimi zyrtar i kësaj deklarate është i rëndësishëm, pasi një pretendim i tillë mund të kishte pasoja serioze, duke nënkuptuar një angazhim të drejtpërdrejtë ushtarak të Turqisë dhe një zgjerim të mundshëm të konfliktit në nivel rajonal, madje edhe përfshirjen e një vendi anëtar të NATO-s në një përplasje të drejtpërdrejtë. Në këtë kuptim, reagimi i shpejtë i Ankarasë synon të qetësojë situatën, të shmangë keqinterpretimet dhe të mbrojë pozicionin diplomatik të vendit.

 

Rasti në fjalë ilustron qartë se si, në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, një deklaratë e pa verifikuar mund të përhapet me shpejtësi dhe të ndikojë perceptimin global, duke u kthyer në një instrument të luftës së informacionit dhe propagandës. Për këtë arsye, autoritetet turke e kanë cilësuar këtë episod si pjesë të një fushate dezinformimi, duke theksuar rëndësinë e verifikimit të burimeve dhe të kujdesit në shpërndarjen e informacionit, sidomos në kontekste të ndjeshme gjeopolitike.

 

 

 

 

 

 

XS
SM
MD
LG