CNN: Kina po dërgon armë në Iran, përfshi sistemet kundërajrore ‘Manpads’
Sipas një raportimi të publikuar nga CNN, inteligjenca e Shteteve të Bashkuara ka informacione se Kina po përgatitet të dërgojë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore për Iranin brenda javëve të ardhshme, në një zhvillim që mund të ndikojë ndjeshëm balancat e sigurisë në Lindjen e Mesme.
CNN, duke cituar tre persona të njohur me vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane, raporton se Pekini dyshohet se po organizon mënyra për të realizuar këto dërgesa përmes vendeve të treta, me qëllim që të maskohet origjina e tyre dhe të shmanget vëmendja direkte ndërkombëtare.
Sipas të njëjtave burime, bëhet fjalë për sisteme raketore kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi, të njohura si MANPAD, të cilat përdoren për mbrojtje ajrore në distanca të afërta dhe mund të forcojnë kapacitetet ushtarake të Iranit në terren.
Raportimi vjen në një moment tepër të ndjeshëm diplomatik, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë të shtunën në Islamabad, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për të ulur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit gjashtë-javor.
Sipas CNN, këto zhvillime mund të shtojnë presionin mbi negociatat dhe të komplikojnë më tej përpjekjet diplomatike, në një kohë kur rajoni mbetet i tensionuar dhe me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm.