Trump premton para dhe mbështetje për Orbanin nëse fiton zgjedhjet e të dielës në Hungari
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të premten se administrata e tij është e gatshme të ndihmojë ekonomikisht Hungarinë nëse kryeministri Viktor Orban fiton rizgjedhjen, në atë që shihet si përpjekja më e fundit e Uashingtonit për të ndikuar në favor të liderit aktual përpara zgjedhjeve.
“Administrata ime është gati të përdorë të gjithë fuqinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara për të forcuar ekonominë e Hungarisë, siç kemi bërë për aleatët tanë të mëdhenj në të kaluarën, nëse kryeministri Viktor Orbán dhe populli hungarez do të kenë nevojë,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Jemi të entuziazmuar të investojmë në prosperitetin e ardhshëm që do të gjenerohet nga vazhdimi i udhëheqjes së Orbánit!” shtoi ai.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance vizitoi këtë javë Hungarinë, ku u takua me Orbanin dhe mbajti deklarata publike, duke theksuar mbështetjen e Uashingtonit për liderin e kontestuar dhe duke akuzuar Bashkimin Evropian se po ndëshkon Hungarinë për zgjedhjen e liderit të saj.
Ai i cilësoi veprimet e BE-së si “një nga shembujt më të këqij të ndërhyrjes së huaj dhe zgjedhore që kam parë ndonjëherë”, duke vënë në shënjestër Brukselin për drejtimin e supozuar të kompanive të rrjeteve sociale mbi informacionin që u shfaqet votuesve hungarezë.
“Nuk do t’u them njerëzve të Hungarisë si të votojnë. Do të inkurajoja burokratët në Bruksel të bëjnë pikërisht të njëjtën gjë,” tha Vance, duke shtuar se ndodhej në Budapest për të festuar atë që e quajti “bashkëpunim moral”, që përfaqëson “mbrojtjen e qytetërimit perëndimor”.
Hungaria pritet të mbajë zgjedhjet të dielën. Sipas një përmbledhjeje sondazhesh të publikuara nga media Politico, partia e Orbanit, Fidesz, ndodhet 11 pikë pas opozitës, Partisë Tisza.