SKANDALI që ndezi rrjetin rrëzohet - Videoja ‘Melania–Epstein’ rezulton manipulim me AI!
Një video 15-sekondëshe që u bë virale në rrjet, duke pretenduar një moment intim mes Melania Trump dhe Jeffrey Epstein, është demaskuar si një manipulim i krijuar me inteligjencë artificiale. Klipi, i shpërndarë gjerësisht në platforma si X dhe Facebook, u shoqërua me pretendime se ishte publikuar nga Emmanuel Macron, por verifikimet tregojnë se nuk ekziston asnjë postim i tillë në llogaritë e tij zyrtare.
Gjurmimi i materialit zbulon se versioni më i hershëm i imazhit daton më 5 shkurt 2026, i publikuar nga një faqe që vetëidentifikohet si satirike dhe që e përshkruan përmbajtjen si “të modifikuar dixhitalisht” dhe “parodi”. Megjithatë, materiali u nxor nga konteksti dhe u ripaketua si i vërtetë, duke nxitur teori konspirative dhe duke rikthyer në vëmendje skandalin Epstein.
Analiza e detajeve vizuale nxori në pah disa mospërputhje të qarta: pozicioni i duarve të Epstein ndryshon nga imazhet autentike, nuk përputhet me materialet zyrtare të arkivave dhe përfshin elemente të dyshimta si deformime në gishtërinj apo objekte që nuk ekzistojnë në fotot reale. Gjithashtu, numrat serialë të përdorur në imazh nuk përkojnë me databazat zyrtare të Departamentit të Drejtësisë.
Në përfundim, verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një produkt të krijuar me AI dhe jo për një material autentik. Rasti thekson edhe një herë rrezikun e përhapjes së dezinformatave në epokën digjitale, ku përmbajtje të fabrikuara mund të marrin shpejt përmasa globale dhe të implikojnë figura publike pa bazë reale.