Lidhje


Gjermania i bën thirrje Izraelit të ndalë sulmet ushtarake në Liban

 

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje Izraelit të ndalë menjëherë sulmet ushtarake në Liban dhe ka paralajmëruar se përshkallëzimi rrezikon të dëmtojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm mes SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.

 

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merz shprehu shqetësim të thellë për situatën në Libanin jugor dhe tha se Gjermania po punon me partnerët evropian dhe rajonal për përpjekje diplomatike për de-përshkallëzimin e konfliktit.

 

“Intensiteti me të cilin Izraeli po zhvillon luftën atje mund të bëjë që procesi i paqes në tërësi të dështojë dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Për këtë arsye, dje, së bashku me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish, i kërkova qeverisë izraelite të ndalë sulmet e intensifikuara”, tha Merz.

 

Merz tha se është në kontakt personal me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me zhvillimet. Ai shtoi se ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, dje ka biseduar dy herë me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, për të përcjellë qëndrimin e Berlinit.

 

“Si në javët e fundit, ne po koordinohemi ngushtë dhe vazhdimisht me partnerët tanë në Evropë dhe rajon”, shtoi ai.

 

Dje, Izraeli kreu një nga sulmet më të mëdha në Liban, që nga fillimi i ofensivës ushtarake kundër Hezbollahut në fillim të muajit të kaluar. Sipas Mbrojtjes Civile të Libanit, sulmet vranë të paktën 254 persona dhe plagosën 1.165 të tjerë.

 

Përshkallëzimi ka rritur frikën për një riokupim të mundshëm izraelit të Libanit jugor, që potencialisht mund të shtrihet deri në lumin Litani.

XS
SM
MD
LG