Lidhje


Tragjedi e rëndë në Mesdhe, mbytet varka me emigrantë pranë Libisë, 80 persona të zhdukur

 

Një tjetër tragjedi është regjistruar në Mesdhe, ku rreth 80 migrantë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në zonën e kërkim-shpëtimit pranë Libisë.

 

Sipas dëshmive të të mbijetuarve, në bord ndodheshin rreth 110 persona. Vetëm 32 prej tyre arritën të shpëtohen, dhe vetëm dy trupa janë nxjerrë nga deti.

 

Pamjet e marra nga ekipet e shpëtimit tregojnë momentet dramatike, kur të mbijetuarit mbahen fort pas varkës prej druri të përmbysur, duke pritur të shpëtohen.

 

Mjeti lundrues, rreth 12-15 metra i gjatë, ishte nisur nga Tripoli dhe u përmbys në det të hapur, duke lënë dhjetëra persona në ujë për orë të tëra para mbërritjes së ndihmës.

 

Operacioni i shpëtimit u realizua nga Roja Bregdetare italiane, e ndihmuar edhe nga anije tregtare që ndodheshin në zonë, të cilat hodhën mjete shpëtimi dhe nxorën të mbijetuarit.

 

Alarmi për varkën në rrezik u dha fillimisht nga një avion i një organizate joqeveritare, që konstatoi mjetin e përmbysur dhe njerëz të kapur pas tij, ndërsa të tjerë ndodheshin në ujë.

 

Më pas, të mbijetuarit dhe trupat u transferuan në një anije të rojës bregdetare dhe u dërguan në tokë.

 

Në bord ndodheshin shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe Egjipti.

 

Ndërkohë, kanë ardhur edhe reagimet e para nga organizatat ndërkombëtare. Save the Children shprehu shqetësimin për tragjedinë, duke theksuar kontrastin e fortë me festën e Pashkëve.

 

“Në një ditë që për shumë njerëz simbolizon ringjalljen dhe shpresën, ne po qajmë jetë të reja të humbura në brigjet e Libisë. Edhe një herë, Mesdheu është kthyer në një kufi vdekjeje”, thuhet në reagim.

 

Organizata thekson se ende nuk dihet numri i saktë i të zhdukurve dhe nëse mes tyre ka fëmijë.

 

Sipas të dhënave të saj, që nga viti 2014, rreth 34.500 persona kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në Mesdhe, ndërsa vetëm këtë vit numri i viktimave ka kaluar 800, mes tyre edhe shumë fëmijë.

XS
SM
MD
LG