Lidhje


Ekzekutohet 18-vjeçari në Iran, valë varjesh dhe mbi 400 arrestime – Amnesty: “Spastrim brutal i disidentëve”

 

Një 18-vjeçar iranian, Amirhossein Khatami, u ekzekutua me varje të enjten në mëngjes, pasi Gjykata Supreme e Iranit rrëzoi menjëherë apelin e tij. I riu ishte dënuar për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare të janarit, me akuza për hyrje në një strukturë ushtarake të klasifikuar në Teheran, shkaktim dëmesh dhe tentativë për të marrë armë.

 

Sipas autoriteteve gjyqësore iraniane (Mizan), Khatami kishte pranuar veprimet gjatë marrjes në pyetje, por Amnesty International pretendon se ky “rrëfim” është nxjerrë nën tortura brutale, përfshirë rrahje dhe kërcënime me armë. Organizata e të drejtave të njeriut e konsideron këtë rast pjesë të një fushate të gjerë represive ndaj disidentëve në Iran.

 

Ndërkohë, në vetëm dy ditë, katër persona të tjerë – Babak Alipour, Pooja Ghobadi, Akbar Daneshvarkar dhe Mohammad Taghavi Sanghdehi – u ekzekutuan në burgun Ghezel Hesar pa njoftim paraprak për familjet. Autoritetet madje kanë refuzuar t’u dorëzojnë trupat e të paktën tre prej tyre. Ata ishin dënuar për “rebelim të armatosur kundër shtetit” (baghi), pas proceseve gjyqësore që, sipas raportimeve, zgjatën vetëm disa minuta dhe nuk respektuan standardet ligjore.

 

Sipas një raporti të Human Rights Watch dhe Kurdistan Human Rights Network, situata në burgjet iraniane është përkeqësuar ndjeshëm. Mijëra të burgosur, përfshirë edhe të mitur, ndodhen mes dy rreziqeve: nga njëra anë, burgjet si Evin janë goditur nga sulme ajrore amerikane dhe izraelite, ndërsa nga ana tjetër, forcat iraniane janë urdhëruar të përdorin forcë vdekjeprurëse për të shtypur çdo protestë brenda tyre.

 

Në të njëjtën kohë, regjimi ka intensifikuar arrestimet masive. Vetëm ditët e fundit, mbi 400 persona janë arrestuar me akuzën e “propagandës për armikun”, pasi kanë filmuar pasojat e bombardimeve me telefonat e tyre. Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se Irani po shfrytëzon situatën e luftës për të kryer një spastrim të gjerë të disidentëve, më i madhi në katër dekadat e fundit.

XS
SM
MD
LG