“Nuk ka mbaruar”- Izraeli zotohet të vazhdojë me sulmet ndaj Iranit dhe Hezbollahut
Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump shprehet optimist për një përfundim të afërt të luftës, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të operacioneve ushtarake në rajon.
Netanyahu bëri të ditur se Izraeli do të vazhdojë të sulmojë si në Iran ashtu edhe në Liban, duke theksuar se operacionet synojnë dobësimin e kapaciteteve strategjike të kundërshtarëve.
“Ne po shkatërrojmë programin e raketave dhe programin bërthamor, dhe vazhdojmë t’i japim goditje të rënda Hezbollahut”, deklaroi ai.
Konflikti ka shpërthyer pas sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj Iranit, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, Trump ka lënë të kuptohet se ekziston një “shans shumë i mirë” për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan ka udhëzuar ushtrinë e SHBA-së të shtyjë të gjitha sulmet ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane.