ZJARR në aeroplanmbajtësen më të madhe në botë: qindra marinarë të lënduar, USS Ford detyrohet të tërhiqet nga lufta!
Aeroplanmbajtësja amerikane Gerald R. Ford, e dislokuar në operacione kundër Iranit, pritet të tërhiqet përkohësisht në port pas një zjarri në bord, thanë zyrtarë amerikanë të martën, në ditën e 18-të të luftës me Teheranin.
Anija, më e reja e flotës amerikane dhe më e madhja në botë, ndodhet aktualisht në Detin e Kuq. Sipas zyrtarëve, ajo pritet të drejtohet përkohësisht drejt Gjirit të Soudës në ishullin grek të Kretës.
Luftanija ka qenë në dislokim për nëntë muaj, duke marrë pjesë edhe në operacione kundër Venezuelës në Karaibe përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme. Kohëzgjatja e këtij dislokimi ka ngritur pikëpyetje mbi moralin e ekuipazhit dhe gatishmërinë e anijes.
Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje se sa kohë pritet të qëndrojë Ford në Kretë.
Sipas njërit prej tyre, rreth 200 marinarë u trajtuan për probleme nga tymi, pasi zjarri shpërtheu në zonën kryesore të lavanderisë së anijes. Zjarri zgjati disa orë derisa u vu nën kontroll dhe dëmtoi rreth 100 vende fjetjeje në bord.