Lidhje


Fidan me homologun gjerman Wadephul: Askush të mos ushqejë fantazi separatiste për Iranin!

 

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan më 12 mars dënoi thirrjet për separatizëm në Iran në mes të sulmeve që po vazhdojnë, duke paralajmëruar se duhet shmangur një luftë civile.

 

Deklaratat e Fidanit erdhën gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij gjerman, Johann Wadephul, në kryeqytetin turk Ankara.

 

“Po shohim që po ngrihen sërish skenarë separatistë, këtë herë për Iranin. Ne jemi plotësisht kundër çdo plani që synon të nisë një luftë civile në Iran dhe të nxisë konflikte përgjatë vijave etnike apo fetare,” tha ai.

 

“Askush nuk duhet të ushqejë fantazi të tilla. Nuk mund të lejojmë që të bëhet një hap i gabuar. Ne jemi të përgatitur për të gjitha skenarët që lidhen me rrjedhën dhe pasojat e luftës.”

 

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit nisën më 28 shkurt, duke vrarë liderin suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë të sigurisë, ndërsa Teherani u përgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë në të gjithë rajonin, duke shënjestruar asetet amerikane.

 

Turqia ka shmangur goditjet e drejtpërdrejta, pavarësisht se trupa amerikane janë të stacionuara në disa baza në vend. Dy raketa balistike të lëshuara nga Irani më 4 dhe 9 mars u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s, çka çoi në vendosjen e një baterie Patriot pranë stacionit të radarit në Kürecik, në provincën Malatya.

 

“Ne po punojmë ditë e natë për sigurinë e qytetarëve tanë në rajon,” tha Fidan. “Vazhdojmë të shkëmbejmë mendime me fqinjët dhe partnerët tanë për të ulur tensionet.” Ai gjithashtu akuzoi Izraelin se po përpiqet të “përhapë luftën e pistë” në Liban dhe në vendet përreth.

 

Ministrat diskutuan gjithashtu çështje më të gjera ndërkombëtare, përfshirë zhvillimet në Ukrainë dhe Siri, dhe theksuan përparimin në marrëdhëniet turko-gjermane.

 

Fidan dhe Wadephul pritej gjithashtu të shqyrtonin përgatitjet për një takim të ardhshëm të mekanizmit të dialogut strategjik mes dy vendeve, i cili pritet të rrisë shkëmbimet tregtare deri në 60 miliardë dollarë.

 

Në fushën e sigurisë, Fidan pritet të bëjë thirrje për një qasje më gjithëpërfshirëse nga Bashkimi Evropian dhe për koordinim më të fortë me vendet e NATO-s që nuk janë anëtare të BE-së.

XS
SM
MD
LG