Ushtria izraelite tërhiqet nga Gaza – nis beteja me Hezbollahun në Bejrut, bomba dhe tmerr!
Sulme të fuqishme ajrore izraelite goditën në orët e para të mëngjesit qendrën e Bejrutit, duke lënë të paktën katër persona të vdekur dhe disa të plagosur, ndërsa tensionet në rajon po rriten ndjeshëm dhe frika për një ofensivë tokësore izraelite në Liban po bëhet gjithnjë e më reale.
Pamje të publikuara nga mediat libaneze tregojnë një ndërtesë banimi me disa kate të shkatërruara në kryeqytet, pas goditjeve të forta nga ajri.
Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi fillimisht se nga sulmi mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet në zonën e goditur.
Nga ana e saj, ushtria izraelite deklaroi se operacioni kishte në shënjestër zonën Dahiyeh, në jug të Bejrutit, ku sipas saj ndodheshin qendra komanduese dhe depo armësh të milicisë shiite Hezbollah, një aleate e Iranit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA), bombardimet izraelite nuk u kufizuan vetëm në kryeqytet. Sulme të tjera u raportuan edhe në jug të vendit dhe në Luginën Bekaa në lindje, ku autoritetet lokale thanë se të paktën shtatë persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën.
Në të njëjtën kohë, Hezbollahu njoftoi se kishte lëshuar disa breshëri raketash ndaj pozicioneve izraelite në jug të Libanit të martën në mbrëmje dhe gjatë gjithë natës, duke e përshkallëzuar më tej situatën në kufi.
Ndërkohë, përplasjet e vazhdueshme kanë shtyrë ushtrinë izraelite të riorganizojë forcat e saj. Shefi i shtabit, gjenerali Eyal Zamir, urdhëroi transferimin e trupave nga Rripi i Gazës drejt kufirit verior me Libanin.
Brigada elitare Golani, e cila ka qenë disa herë e dislokuar në Gaza që nga fillimi i luftës Izrael–Hamas rreth dy vjet e gjysmë më parë, pritet të zhvendoset në veri për të përforcuar Komandën Veriore të Izraelit.
Sipas raportimeve, Hezbollahu nisi sulme të shënjestruara ndaj Izraelit rreth një javë më parë në mbështetje të Iranit, në mes të ofensivës së përbashkët amerikano–izraelite kundër Teheranit.
Këto përbëjnë sulmet e para të grupit që nga marrëveshja e armëpushimit me Izraelin në nëntor 2024.
Megjithatë, edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Izraeli ka vazhduar të kryejë goditje ndaj objektivave të Hezbollahut, duke pretenduar se grupi po shkel marrëveshjen dhe po përpiqet të riorganizojë arsenalin e tij ushtarak.
Nga ana tjetër, Hezbollahu akuzon Izraelin për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo sulmi.