Lidhje


Si po demonizohen myslimanët? – Lufta SHBA-Izrael me Iranin ndez valë të re urrejtjeje në internet

 

 

Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar një rritje të fortë të diskursit islamofobik në internet dhe në politikën amerikane, sipas një analize të publikuar nga Observer.al.

 

Sipas raportit, që nga fillimi i vitit 2026 është vërejtur një rritje alarmante e përmbajtjeve që synojnë muslimanët në rrjetet sociale, ndërsa konflikti ushtarak i nisur më 28 shkurt mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit e ka përshpejtuar ndjeshëm këtë prirje.

 

Analiza thekson se në muajt janar dhe shkurt postimet islamofobike kishin qenë të vazhdueshme, por fillimi i luftës e çoi retorikën armiqësore në nivele shumë më të larta, duke e bërë komunitetin musliman një nga objektivat kryesore të sulmeve verbale në internet.

 

Retorika politike dhe dimensioni fetar i konfliktit

 

Sipas artikullit, një rol të rëndësishëm në këtë përshkallëzim ka luajtur edhe retorika e disa politikanëve amerikanë.

 

Sekretari i Luftës i SHBA-së, Pete Hegseth, e përshkroi regjimin iranian si të udhëhequr nga “iluzione profetike islamike”, një formulim që kritikët thonë se e paraqet konfliktin në terma fetarë.

 

Ndërkohë, sipas ankesave të raportuara nga organizata amerikane Military Religious Freedom Foundation (MRFF), disa komandantë ushtarakë u kanë thënë trupave se lufta me Iranin është “pjesë e planit hyjnor të Zotit” dhe se mund të “shkaktojë Armagedonin.”

 

Edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke folur për Iranin, deklaroi se në narrativën iraniane “ne jemi Satanai i Madh dhe kjo buron nga feja e tyre e gabuar.”

 

Organizatat për të drejtat civile të muslimanëve kanë paralajmëruar se një gjuhë e tillë nga nivelet më të larta të politikës mund të krijojë një klimë ku muslimanët perceptohen si armiq dhe bëhen objekt dyshimi ose dhune.

 

Sulmi në Texas dhe shpërthimi i diskursit online

 

Situata u tensionua edhe më shumë pas një sulmi me armë zjarri më 1 mars në Austin, Texas, ku një person hapi zjarr në një bar duke vrarë tre persona dhe plagosur pesëmbëdhjetë të tjerë.

 

Sipas raportimeve, autori i sulmit mbante veshje me referenca ndaj Iranit dhe Islamit, gjë që intensifikoi edhe më tej debatin dhe reagimet në internet.

 

Shifrat e përhapjes së islamofobisë në rrjetet sociale

 

Një analizë e Center for the Study of Organized Hate mbi postimet në platformën X (ish-Twitter) tregon përmasat e fenomenit.

 

Sipas të dhënave:

 

Nga 28 shkurti deri më 5 mars janë regjistruar 25,348 postime islamofobike që synojnë muslimanët.

 

Kur përfshihen edhe ripostimet, numri i përmendjeve arrin në 279,417, që përfaqëson një rritje 11-fish të përhapjes së përmbajtjes së urrejtjes.

 

Analiza përfundon se kombinimi i luftës në Lindjen e Mesme, retorikës politike dhe incidenteve të dhunshme në SHBA ka krijuar një mjedis online ku përmbajtjet islamofobike përhapen shumë më shpejt dhe arrijnë audienca shumë më të mëdha./ Përmbledhur nga Observer.al

XS
SM
MD
LG