Mojtaba Khamenei në krye të Iranit – pasardhësi i liderit të vrarë merr pushtetin
Mojtaba Khamenei është emëruar lideri i ri suprem i Iranit, pak më shumë se një javë pasi sulmet e përbashkëta izraelito-amerikane vranë babanë e tij, Ajatollahun Ali Khamenei, së bashku me disa anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten e liderit të ri Zahra Adel, nënën e tij Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh, një djalë dhe një motër.
Asambleja e Ekspertëve – organi prej 88 klerikësh që sipas Kushtetutës iraniane ka detyrën të emërojë autoritetin më të lartë të vendit – njoftoi të dielën se Mojtaba ishte zgjedhur si lideri i tretë suprem i Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.
Njoftimi erdhi ndërkohë që Irani vazhdon të përballet me sulme ushtarake nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Javën e kaluar, Izraeli goditi një ndërtesë në Qom, një nga qendrat kryesore të studimeve shiite, ku pritej të mblidheshin anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve për të vendosur mbi liderin e ri të vendit, në atë që dukej si një përpjekje për t’i vrarë ata.
Vendimi për të emëruar djalin e liderit të vrarë suprem u mor sipas procedurave kushtetuese dhe jo si një transferim i trashëguar i pushtetit.
Mojtaba Khamenei, një klerik shiit 56-vjeçar, ka qenë më parë objekt kërcënimesh për atentat – një faktor që, sipas analistëve, mund të ketë forcuar kandidaturën e tij ndërsa Irani përpiqet të tregojë se nuk do t’i nënshtrohet presionit të jashtëm.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi javën e kaluar për Axios se një emërim i tillë do të ishte “i papranueshëm”, duke sugjeruar se ai duhet të kishte rol në përzgjedhjen e liderit të ri të Iranit.
“Po humbin kohë. Djali i Khameneit është një figurë e dobët. Unë duhet të jem i përfshirë në emërim”, tha Trump.
“Djali i Khameneit është i papranueshëm për mua”.
Jeta e hershme dhe formimi
Mojtaba Khamenei lindi më 8 shtator 1969 në qytetin Mashhad në verilindje të Iranit, një nga qendrat më të rëndësishme fetare të vendit.
Ai është djali i dytë i Ajatollah Ali Khameneit, i cili drejtoi Iranin si lider suprem nga viti 1989 deri sa u vra në sulmet izraelito-amerikane më 28 shkurt. Mojtaba është gjithashtu nipi i klerikut shiit Sayyed Javad Khamenei.
I rritur gjatë viteve të trazirave të Revolucionit Islamik, Mojtaba pa nga afër ngritjen e babait të tij nga figurë revolucionare në president dhe më pas lider suprem.
Ai u martua me Zahra Haddad-Adel, vajzën e politikanit konservator dhe ish-kryetarit të parlamentit Gholam-Ali Haddad-Adel.
Zahra Haddad-Adel ishte ndër personat e vrarë në sulmin që goditi rezidencën e familjes Khamenei në Teheran.
Ashtu si shumë figura të larta të establishmentit fetar iranian, Mojtaba kreu studimet teologjike në Qom, qendra kryesore e studimeve shiite në Iran.
Atje ai studioi jurisprudencë islame dhe teologji nën drejtimin e disa klerikëve të njohur, përfshirë Ajatollah Mahmoud Hashemi Shahroudi, Ajatollah Lotfollah Safi Golpaygani dhe Mohammad-Taqi Mesbah-Yazdi.
Analistët thonë se Mojtaba kaloi pjesën më të madhe të karrierës duke dhënë mësim në seminaret fetare të Qom-it, përfshirë kurse të avancuara të jurisprudencës të njohura si dars-e kharej, niveli më i lartë i studimeve në seminaret fetare.
Pavarësisht rolit të tij të gjatë në qarqet fetare, ai nuk ka mbajtur kurrë një post zyrtar qeveritar dhe nuk ka kandiduar në zgjedhje.
Një votim vendimtar në një moment krize
Mojtaba Khamenei merr drejtimin e vendit në një moment kur Irani përballet me atë që zyrtarët e përshkruajnë si kërcënim ekzistencial për integritetin territorial dhe të ardhmen politike të vendit, ndërsa Izraeli dhe SHBA rrisin presionin ushtarak.
Mediat shtetërore raportuan se Asambleja e Ekspertëve e zgjodhi atë përmes një “vote vendimtare”. Ky organ u bëri thirrje iranianëve – “veçanërisht elitave dhe intelektualëve të seminareve dhe universiteteve” – të betohen për besnikëri ndaj udhëheqjes së re dhe të ruajnë unitetin kombëtar.
Edhe pse nuk ka marrë pjesë kurrë në zgjedhje, Mojtaba është konsideruar prej kohësh një figurë me ndikim brenda rrethit të ngushtë të babait të tij.
Vëzhguesit e politikës iraniane thonë se ai ka ndërtuar lidhje të forta me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).
Gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980, ai shërbeu në batalionin Habib të IRGC dhe mori pjesë në disa operacione ushtarake.
Emërimi i tij vjen mes kërcënimeve të hapura nga zyrtarë izraelitë, të cilët kanë paralajmëruar se do të shënjestrojnë çdo pasardhës të liderit të vrarë.
“Çdo lider i zgjedhur nga regjimi iranian për të vazhduar planin për shkatërrimin e Izraelit, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit, dhe për të shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i sigurt për eliminim, pavarësisht emrit apo vendit ku fshihet”, shkroi javën e kaluar në rrjetin social X ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz.