Lidhje


Përmbledhje e luftës me Iranin - Ç'po ndodh në ditën e shtatë të sulmeve të SHBA dhe Izraelit?

 

Lufta mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e shtatë, ndërsa sulmet vazhdojnë në territorin e Iranit dhe në disa vende të tjera të Lindjes së Mesme.

 

Irani vazhdon sulmet me raketa dhe dronë në rajonin e Gjirit, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi pretendojnë se fushata e tyre ushtarake – e koduar Operacioni “Epic Fury” – po e paralizon ushtrinë iraniane.

 

Sipas vlerësimeve të publikuara të enjten nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), kostoja e 100 orëve të para të Operacionit Epic Fury ka arritur në 3.7 miliardë dollarë, ose rreth 891 milionë dollarë në ditë. Pjesa më e madhe e kësaj kostoje – 3.5 miliardë dollarë – nuk ishte parashikuar në buxhet.

 

Ja çfarë ka ndodhur gjatë 24 orëve të fundit:

 

Në Iran

 

Fushata e vazhdueshme ushtarake e SHBA dhe Izraelit:


Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po vazhdojnë sulmet ushtarake ndaj Iranit, duke shënuar ditën e shtatë të konfliktit. Më shumë se 1,230 persona janë vrarë në Iran që nga nisja e sulmeve të shtunën.

 

Ushtria izraelite pretendon se ka arritur “superioritet pothuajse të plotë ajror”, duke deklaruar se ka kryer 2,500 sulme dhe ka shkatërruar 80 për qind të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit.

 

Pasardhja në udhëheqje dhe ndërhyrja e SHBA:


Pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei në një sulm të përbashkët SHBA-Izrael në Teheran të shtunën, çështja e pasardhësit të tij mbetet e hapur. Sipas raportimeve, djali i tij Mojtaba Khamenei mund të marrë drejtimin.

 

Megjithatë, të enjten presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se synon të luajë një rol të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Iranit dhe e quajti Mojtabën një zgjedhje “të papranueshme”.

 

Paralajmërime për pushtim:


Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, paralajmëroi se forcat iraniane janë “në pritje” të një pushtimi të mundshëm tokësor amerikan, duke kërcënuar se do të vrasin dhe kapin mijëra ushtarë amerikanë.

 

Refuzimi i negociatave:


Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se “nuk ka asnjë arsye që Irani të negociojë me SHBA-në”, duke theksuar se Uashingtonit nuk mund t’i besohet.

 

Sulmet iraniane:


Sipas SHBA-së, sulmet iraniane me raketa balistike kanë rënë me 90 për qind që nga dita e parë e konfliktit, ndërsa sulmet me dronë janë ulur me 83 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

 

Në vendet e Gjirit

 

Kuvajti:


SHBA pezulloi operacionet në ambasadën e saj në Kuvajt, pasi sulmet hakmarrëse iraniane goditën rajonin. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Kuvajtit kapën disa raketa dhe dronë.

 

Bahreini:


Një raketë iraniane goditi një rafineri shtetërore nafte në një qytet industrial të Bahreinit, por zjarri që shpërtheu u vu nën kontroll.

 

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari:


Emiratet deklaruan se mbrojtja ajrore ka kapur disa raketa iraniane dhe më shumë se 120 dronë.

 

Katari raportoi gjithashtu se u vu në shënjestër nga një breshëri raketash dhe dronësh iranianë, pasi shpërthime të forta u dëgjuan në kryeqytetin Doha.

 

Rreth 20 mijë amerikanë largohen nga Lindja e Mesme:


Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se mijëra qytetarë amerikanë kanë lënë tashmë rajonin, kryesisht me mjete private, ndërsa qeveria po organizon fluturime çarter për ata që duan të evakuohen.

 

Ndërprerje e evakuimit:


Një avion francez evakuimi i organizuar nga qeveria për të shpëtuar qytetarët e mbetur në Emiratet e Bashkuara Arabe u detyrua të kthehej në mes të fluturimit, për shkak të zjarrit me raketa në rajon.

 

Në Izrael

 

Tel Avivi në shënjestër:


Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka nisur një sulm të kombinuar me dronë dhe raketa ndaj Tel Avivit dhe zonave qendrore të Izraelit.

 

Mbyllje dhe tension në Bregun Perëndimor:


Për shkak të kërcënimeve të sigurisë, administrata civile izraelite ka mbyllur të gjitha vendet e shenjta në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe ka anuluar faljet e së premtes.

 

 

Në Shtetet e Bashkuara

 

Sulme ushtarake:


Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) raportoi se ka goditur rreth 200 objektiva në Iran gjatë 72 orëve të fundit, përfshirë lëshues raketash balistike dhe anije luftarake.

 

Deklaratat e Trump:


Presidenti Donald Trump deklaroi se Irani po “shkatërrohet”, duke thënë se operacioni po zhvillohet “më shpejt dhe në një nivel që njerëzit nuk e kanë parë kurrë më parë”.

 

Ai pretendoi se Irani tani “nuk ka më forcë ajrore dhe as mbrojtje ajrore”, duke shtuar se “forca ajrore është zhdukur”.

 

Mbështetja e Kongresit:


Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA, e kontrolluar nga republikanët, votoi 219 me 212 kundër një përpjekjeje për të ndalur luftën dhe për të kërkuar autorizim të Kongresit për armiqësitë kundër Iranit.

 

Mohimi i destabilizimit:


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, hodhi poshtë kritikat duke mohuar se SHBA dhe Izraeli kanë shkaktuar destabilizim në rajon.

 

Ndikimi ekonomik:


Lufta ka tronditur tregjet financiare amerikane. Më herët gjatë javës, indeksi Dow Jones ra me më shumë se 1,000 pikë (2.2%), ndërsa çmimet e naftës u rritën për shkak të konfliktit.

 

Në Irak, Liban dhe Egjipt

 

Baza ushtarake në Irak:


Forcat irakiane rrëzuan një dron që synonte një bazë ushtarake me prani amerikane pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit. Droni iu afrua bazës Victoria gjatë natës së së mërkurës, por u kap para se të godiste objektivin.

 

Sulmet e Iranit ndaj grupeve kurde:


Televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Irani po godet “forca separatiste anti-iraniane”, duke iu referuar grupeve kurde iraniane dhe irakiane që besohet se ndodhen në zonat malore pranë kufirit Iran-Irak.

 

Sipas raportimeve, presidenti amerikan Donald Trump ka qenë në bisedime me disa prej këtyre grupeve për t’i përfshirë në sulmet kundër Iranit.

 

Përshkallëzimi në Liban:


Izraeli po bombardojnë rëndë Libanin dhe ka lëshuar paralajmërime evakuimi për periferitë jugore të Bejrutit dhe pjesë të Luginës Bekaa.

 

Paralajmërimi ekonomik i Egjiptit:


Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi paralajmëroi se vendi ndodhet në një “gjendje pothuajse emergjente ekonomike”, pasi lufta në Lindjen e Mesme rrezikon të rrisë ndjeshëm çmimet.

 

Në Evropë

 

Evropa nën presion:


Qeveritë evropiane janë të ndara për mënyrën se si duhet të reagojnë ndaj konfliktit në përshkallëzim.

 

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë dërguar forca detare dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Mesdheun lindor për të mbrojtur interesat e aleatëve.

 

Të hënën, një sulm me dron goditi bazën e Forcave Ajrore Mbretërore britanike në Akrotiri, në ishullin mesdhetar të Qipros.

 

Ndërkohë, vende të tjera evropiane – përfshirë Gjermaninë, Irlandën, Belgjikën dhe Holandën – janë fokusuar kryesisht në reagime diplomatike, pa shpallur dislokime ushtarake.

 

Azerbaixhani

 

Azerbajxhani ka pezulluar trafikun e kamionëve në kufi me Iranin dhe po përgatit “masa hakmarrëse”, pasi një sulm me dron iranian plagosi katër civilë në enklavën e tij Nakhchivan.

XS
SM
MD
LG