Lidhje


Dosjet Epstein - Hilary Clinton dëshmon sot para Kongresit të SHBA

 

Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, pritet të dëshmojë sot, 26 shkurt, para Kongresit të SHBA lidhur me skandalin rreth kriminelit seksual Jeffrey Epstein.

 

78-vjeçarja Hillary Clinton do të japë deklaratën e saj para burrit të saj dhe ish-presidentit, Bill Clinton, 79 vjeç, i cili pritet të dëshmojë nesër, të premten.

 

Sipas mediave amerikane, dëshmitë dhe përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të ligjvënësve nuk do të jenë fizikisht në Kongres, por përmes videokonferencës. Seancat do të jenë të mbyllura për publikun, kështu që nuk dihet se sa informacione do të bëhen publike.

 

Hillary dhe Bill Clinton kishin refuzuar për muaj të tërë të dëshmonin para Kongresit në hetimin për rastin Epstein.

 

Demokratët akuzojnë kryetarin republikan të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, se po zhvillon një proces me motive politike.

 

Sipas mediave amerikane, fakti që në fillim të shkurtit Clintonët ranë dakord të dëshmonin bëri që republikanët të anulojnë votimin për nisjen e një procedure ndaj tyre për mosrespektim të Kongresit.

 

Emri i Bill Clinton dhe fotografitë e tij shfaqen në dokumente që lidhen me hetimet për Epstein, por vetëm përmendja e emrit nuk nënkupton diçka. Ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht kryerjen e ndonjë krimi lidhur me njohjen e tij me Epstein.

 

Epstein kishte ndërtuar për vite një rrjet abuzimi, me dhjetëra viktima të reja dhe vajza të mitura, ndërsa financieri nga New York kishte lidhje të forta në shoqërinë e lartë amerikane. Ai vdiq në vitin 2019 në burg, duke pritur gjyqin.

XS
SM
MD
LG