ISIS godet sërish në Raqqa: Katër efektivë sirianë të vrarë në sulm ndaj pikës së sigurisë
Katër punonjës të sigurisë siriane u vranë të hënën në një sulm nga grupi terrorist ISIS (Daesh), që kishte në shënjestër një pikë kontrolli sigurie në perëndim të qytetit Raqqa, në verilindje të Sirisë, njoftoi Ministria e Brendshme.
Në një deklaratë, ministria bëri të ditur se një pikë kontrolli e Forcave të Sigurisë së Brendshme në qytetin Raqqa u sulmua nga terroristë, duke shkaktuar vdekjen e katër efektivëve dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Sipas njoftimit, forcat e sigurisë arritën të neutralizonin një anëtar të Daesh-it, ndërsa operacionet vijojnë për krehjen e zonës me qëllim eliminimin e elementëve të mbetur.
Ministria theksoi se sulmi i së hënës ishte i dyti kundër forcave të sigurisë në këtë zonë, duke sqaruar se e njëjta pikë kontrolli ishte sulmuar edhe të dielën, ku një sulmues u vra.
Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim sigurie që nuk pranoi të identifikohej, raportoi se katër anëtarë të sigurisë së brendshme u vranë në një sulm të ISIS-it ndaj pikës së kontrollit al-Sabahiya në perëndim të Raqqas.
Agjencia shtoi se njësi të policisë ushtarake u dislokuan për të siguruar zonën pas sulmit.
Qeliza të fjetura të ISIS-it mbeten aktive në rajon, të cilin grupi terrorist e mori nën kontroll në vitin 2014, përpara se të dëbohej tre vjet më vonë nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Zona më pas kaloi nën kontrollin e grupit YPG/SDF, i konsideruar organizatë terroriste, përpara se Ushtria Siriane të rimerrte së fundmi kontrollin e rajonit./ AA