Deklarata/ 20 shtete akuzojnë Izraelin për aneksim të Bregut Perëndimor dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar
Rreth njëzet qeveri nga Amerika Latine, Evropa dhe Lindja e Mesme kanë dënuar ashpër masat e fundit të Izraelit për të forcuar kontrollin mbi Bregun Perëndimor të pushtuar, duke i cilësuar ato si hapa drejt një aneksimi de facto dhe si goditje direkte ndaj zgjidhjes me dy shtete. Në një deklaratë të përbashkët, vende si Brazili, Franca, Spanja, Irlanda, vendet skandinave, Portugalia, Egjipti, Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe Indonezia theksojnë se këto vendime “janë pjesë e një strategjie të qartë për të ndryshuar realitetin në terren” dhe për të minuar qëndrueshmërinë e një shteti palestinez të ardhshëm.
Masat izraelite, të ndërmarra këtë muaj, përfshijnë zgjerim të kompetencave administrative dhe planifikuese në zona të Bregut Perëndimor që, sipas Marrëveshjeve të Oslos të viteve 1990, janë nën kontrollin e Autoritetit Palestinez. Këto marrëveshje, megjithëse formalishte ende në fuqi, konsiderohen nga shumë analistë si praktikisht të paralizuara prej vitesh. Sipas diplomacisë evropiane dhe arabe, ndërhyrjet e fundit shënojnë një përshkallëzim të ri në politikën e zgjerimit të vendbanimeve izraelite.
Deklarata e përbashkët thekson se veprime të tilla përbëjnë “një sulm të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë” ndaj perspektivës së zgjidhjes me dy shtete, e cila mbetet pozicioni zyrtar i Bashkimit Evropian, OKB-së dhe shumicës së komunitetit ndërkombëtar. Qeveritë nënshkruese i kërkojnë Izraelit të rishqyrtojë menjëherë vendimet dhe të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar. Qëndrimi është mbështetur gjithashtu nga Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.
Reagimet vijnë në një moment kur 85 shtete anëtare të OKB-së kishin dënuar tashmë javën e kaluar masa të ngjashme, duke paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve. Sipas të dhënave të OKB-së dhe organizatave monitoruese ndërkombëtare, mbi 500,000 izraelitë jetojnë aktualisht në vendbanime në Bregun Perëndimor – përfshirë Jerusalemin Lindor – të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, ndërsa rreth 3 milionë palestinezë jetojnë në të njëjtin territor.
Zgjerimi i vendbanimeve ka qenë një proces i vazhdueshëm që nga viti 1967, por vëzhguesit ndërkombëtarë theksojnë se ritmi është përshpejtuar ndjeshëm nën qeverinë aktuale të kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cilësuar si më e djathta në historinë e Izraelit. Për shumë diplomatë, veçanërisht në Evropë, hapat e fundit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë rikthimin në negociata serioze për paqe dhe rrisin rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm në terren.