Lidhje


Arrestohet ish-ambasadori britanik Peter Mandelson, në hetim për lidhjet me Jeffrey Epstein

 

Ish ministri dhe ish ambasadori britanik në SHBA, Peter Mandelson është arrestuar nga policia nën dyshimin për shpërdorim detyre, pasi iu zbuluan lidhjet dhe komunikimet me financierin pedofil, Jeffrey Epstein. Mediat britanike raportojnë se ai u arrestua në një adresë në Camden, dhe është dërguar në një stacion policie në Londër për t’u marrë në pyetje.

 

Më herët këtë muaj, policia nisi një hetim penal ndaj Mandelson pikërisht për këtë çështje. Dokumentet e publikuara rishtazi të Epstein zbuluan një të vërtetë shqetësuese: kur ai ishte ministër në qeverinë britanike në fund të viteve 2000, nën kryeministrinë e Gordon Brown, Mandelson i dha Epstein informacione konfidenciale mbi atë që po ndodhte në Downing Street.

 

Në një email të vitit 2010, ai madje e informoi atë, paraprakisht, për planin evropian prej 500 miliardë eurosh për të shpëtuar Greqinë dhe eurozonën.

 

Dhe në një mesazh tjetër, ai i kërkoi Jamie Dimon, kreut të bankës amerikane JP Morgan, që ta "kërcënonte lehtë" Sekretarin e atëhershëm Britanik të Thesarit në mënyrë që ai të mos vendoste një taksë mbi bonuset e bankierëve.

 

Grupi i parë i dokumenteve që lidhen me emërimin e Peter Mandelson si Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara do të publikohen në fillim të marsit.

 

Sipas Sky News, qeveria do t'i publikojë dokumentet në pjesë sapo të jenë gati, në vend që t'i publikojë të gjitha menjëher. Jones shpjegoi se një nga dokumentet është objekt i hetimit të vazhdueshëm të Policisë Metropolitane ndaj Lord Mandelson dhe për këtë arsye do të publikohet në një datë të mëvonshme, pas konsultimit me policinë.

 

Deputetët britanikë votuan në fillim të shkurtit për të detyruar qeverinë të publikojë të gjitha dokumentet që lidhen me emërimin e Lord Mandelson - i përfshirë në skandalin pedofil të Epstein.

 

Ky nuk është rasti i parë i një zyrtari të arrestuar, theksojmë se edhe ish-Princi Andrew u arrestua dhe qëndroi 12 orë në paraburgim më 19 shkurt për shpërdorim detyre gjithashtu. As Sarah Ferguson, (ish) gruaja e Andrew, nuk i ka shpëtuar kësaj vorbulle skandalesh të errëta: sipas mediave ajo ia prezantoi vajzën e saj 22-vjeçare Epsteinit, pasi ai ishte dënuar tashmë për krime seksuale: "Tani është radha jote", i thotë Sarah Jeffrey-t ndërsa ia dorëzon vajzën.

XS
SM
MD
LG