Raporti i brendshëm: Mbështetja e Biden për Izraelin solli humbjen e Kamala Harris përballë Trump
Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike në SHBA, gjatë analizës së humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, kanë arritur në përfundimin se qëndrimi i administratës Biden ndaj luftës në Gaza ishte një faktor “neto negativ” për kandidaten Kamala Harris. Sipas një raportimi të publikuar nga Axios, analiza paszgjedhore (“autopsia” elektorale) evidentoi se mbështetja e fortë për Izraelin ndikoi negativisht në performancën e partisë, veçanërisht te votuesit e rinj dhe krahu progresist.
Kamala Harris, e cila humbi përballë Donald Trump, gjatë fushatës shprehu mbështetje të qartë për Izraelin dhe, sipas raportimit, injoroi thirrjet në rritje nga një pjesë e bazës së saj për të mbështetur publikisht palestinezët. Ajo gjithashtu refuzoi që përfaqësues palestinezo-amerikanë të flisnin në platformat zyrtare të demokratëve. Si pjesë e rishikimit, ndihmës të Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me aktivistë të IMEU Policy Project, një organizatë pro-palestineze, ku sipas përfaqësuesve të kësaj të fundit, u pranua se politika për Gazën kishte rezultuar “neto negative” në zgjedhje.
Megjithatë, DNC ka refuzuar ta bëjë publik raportin e plotë të analizës, duke argumentuar se publikimi i tij mund të dëmtojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. IMEU Policy Project ka akuzuar drejtuesit demokratë për fshehje të dokumentit për shkak të përfundimeve lidhur me Izraelin, akuzë që është mohuar nga zëdhënësja e DNC, Kendall Witmer. Ndërkohë, një ndihmës i Harris i tha Axios se ish-zëvendëspresidentja ka deklaruar së fundmi, gjatë promovimit të librit të saj “107 Days”, se administrata “duhej të kishte bërë më shumë” dhe “duhej të kishte folur publikisht” për mënyrën se si kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e zhvilloi luftën.