Lidhje


Trump në kundërsulm, njofton tarifat e reja 15% për të gjitha importet

Pas shfuqizimit nga Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të të gjitha tarifave të importit të vendosura gjatë më shumë se një viti të presidencës së tij, Donald Trump kalon në kundërsulm. Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënshkroi tarifa të reja prej 15% për të gjitha mallrat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke nisur nga mesnata e 24 shkurtit.

 

Fillimisht ai kishte deklaruar se do t’i vendoste masën 10%, por shefi i Shtëpisë së Bardhë, në një postim në rrjetet sociale, shpalli tarifat e reja. Për të anashkaluar bllokimin e gjykatës, Trump e bazoi vendimin te Neni 122 i Ligjit të Tregtisë i vitit 1974. Kjo hapësirë ligjore i jep shefit të Shtëpisë së Bardhë të drejtën të vendosë tarifa deri në 15% pa miratimin e Kongresit, në raste të problemeve serioze me bilancin e pagesave.

 

Këto taksa pritet të qëndrojnë në fuqi për 150 ditë, me mundësi rinovimi. Trump sulmoi ashpër tre gjyqtarët konservatorë të emëruar prej tij, por që bashkuan votat kundër tarifave, duke e quajtur “qesharak” vendimin e tyre, ku tarifat konsideroheshin tejkalim i kompetencave të presidentit.

 

Nga Parisi, Presidenti Emmanuel Macron vlerësoi atë që ai e quajti “ekzistencë të kontrolleve demokratike ndaj pushtetit”, por theksoi se Franca do të përshtatet për të mbrojtur eksportet e saj. Në prill të vitit të shkuar, Trump vendosi tarifa të ndryshme ndaj Kinës, Kanadasë dhe BE-së.

 

Këtyre taksave nuk u shpëtoi as Shqipëria dhe Kosova, ndaj të cilave u aplikua një tarifë prej 10%, duke rritur kostot për produktet ballkanike në tregun amerikan.

 

XS
SM
MD
LG