Lidhje


New York Times: Khamenei i jep drejtimin Larijanit – Irani përgatitet për luftë me SHBA-në

 

Gazeta amerikane The New York Times ka publikuar një analizë të detajuar mbi përgatitjet e Iranit përballë kërcënimit të një sulmi të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa tensionet rajonale janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i janarit. Sipas raportimit, udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei, përballë protestave të brendshme në Teheran dhe qytete të tjera, si dhe paralajmërimeve nga administrata Trump, i është mbështetur një figure kyçe: Ali Larijanit, 67 vjeç, politikan veteran, ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe aktualisht kreu i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare. Sipas NYT, Larijani ka marrë de facto drejtimin e vendit, duke lënë në hije presidentin Masoud Pezeshkian, një kirurg zemre i kthyer në politikan, i cili publikisht ka deklaruar: “Unë jam mjek, jo politikan”, duke sinjalizuar kufizimet e rolit të tij në këtë krizë.

 

Raportimi i gazetës bazohet në intervista me gjashtë zyrtarë të lartë iranianë – përfshirë një burim të lidhur me zyrën e Khameneit, tre anëtarë të Gardës Revolucionare dhe dy ish-diplomatë – si dhe në raportime të mediave iraniane. Sipas tyre, Larijani ka qenë përgjegjës për shtypjen e protestave të fundit, ndërsa njëkohësisht ka intensifikuar bashkëpunimin me aleatë si Rusia dhe ka zhvilluar kontakte me aktorë rajonalë si Katari dhe Omani, duke mbikëqyrur edhe negociatat bërthamore me Uashingtonin. Në një intervistë për Al Jazeera gjatë vizitës në Katar, ai deklaroi: “Ne jemi gati në vendin tonë. Jemi më të fortë se më parë, jemi përgatitur për 7-8 muajt e fundit, kemi identifikuar dobësitë tona dhe i kemi korrigjuar ato. Nuk kërkojmë luftë, por nëse na imponohet, do të përgjigjemi.”

 

Sipas burimeve të cituara nga NYT, Khamenei ka dhënë udhëzime të qarta për mbijetesën e regjimit në rast të bombardimeve amerikane apo izraelite, apo edhe të një atentati ndaj tij. Ai ka vendosur katër nivele trashëgimie për çdo komandë ushtarake dhe post qeveritar që emëron personalisht, ndërsa u ka kërkuar drejtuesve të caktojnë deri në katër zëvendësues. Në rast ndërprerjeje komunikimi apo vrasjeje të tij, vendimmarrja do të kalojë në duart e një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh, mes të cilëve përfshihen Gjeneral Major Yahya Rahim Safavi, ish-kreu i Gardës Revolucionare; Gjeneral Brigade Mohammad Bagher Ghalibaf, aktualisht kryetar i parlamentit dhe zëvendës de facto i komandës së forcave të armatosura; si dhe shefi i shtabit Ali Asghar Hejazi. Edhe pse Larijani nuk përfshihet në listën formale të pasardhësve – pasi nuk është klerik i lartë shiit – ai konsiderohet pjesë e rrethit më të besuar të liderit suprem.

 

Në aspektin ushtarak, Irani po operon me supozimin se një sulm amerikan është i afërt dhe i pashmangshëm. Sipas raportit, janë vendosur lëshues raketash balistike përgjatë kufirit perëndimor me Irakun, mjaftueshëm afër për të goditur Izraelin, si dhe përgjatë bregdetit jugor në Gjirin Persik, brenda rrezes së bazave amerikane në rajon. Të gjitha forcat e armatosura janë vendosur në gatishmëri të lartë, ndërsa forcat speciale të policisë, inteligjenca dhe milicia civile Basij do të dislokohen në qytetet kryesore për të parandaluar trazira të brendshme dhe për të identifikuar agjentë të dyshuar të huaj.

 

Paralelisht me përgatitjet ushtarake, udhëheqja iraniane po diskuton edhe skenarët e mbijetesës politike në rast se Khamenei dhe figura të tjera të larta do të eliminoheshin. Sipas NYT, në krye të listës për një tranzicion të mundshëm është Ali Larijani, i ndjekur nga Mohammad Bagher Ghalibaf dhe ish-presidenti Hassan Rouhani. Këta emra konsiderohen figura me përvojë të gjatë shtetërore dhe me aftësi për të kufizuar reagimin publik në një moment krize. Analisti Vali Nasr nga Johns Hopkins thekson se Khamenei po përgatitet për skenarin e “martirizimit”, duke shpërndarë pushtetin dhe duke organizuar sistemin për një ngjarje madhore që mund të përfshijë njëkohësisht luftë dhe trashëgimi politik

XS
SM
MD
LG