Irani në flakë: Studentët rikthehen në rrugë, Trump paralajmëron goditje brenda 10 ditësh
Studentë në disa universitete të Iranit zhvilluan dje protesta kundër qeverisë, të parat në një përmasë të tillë që pas shtypjes së dhunshme të demonstratave nga autoritetet muajin e kaluar, raportoi BBC. Sipas burimeve, marshime u organizuan në Universitetin e Teknologjisë Sharif në Teheran me nisjen e semestrit të ri, ndërsa tubime të ngjashme u raportuan edhe në qytetin verilindor të Mashhadit. Protestuesit nderuan mijëra persona të vrarë gjatë përplasjes me forcat e sigurisë në valën e fundit të trazirave mbarëkombëtare.
Në të njëjtën kohë, tensionet ndërkombëtare janë shtuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë rritur praninë ushtarake në rajon dhe presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e një sulmi të kufizuar ndaj Iranit. SHBA-ja dhe aleatët evropianë dyshojnë se Teherani po zhvillon një armë bërthamore, pretendim që autoritetet iraniane e mohojnë vazhdimisht. Zyrtarë amerikanë dhe iranianë u takuan të martën në Zvicër dhe raportuan përparim në bisedimet mbi kufizimin e programit bërthamor, por Trump paralajmëroi se brenda 10 ditësh do të bëhej e qartë nëse do të arrihej marrëveshje apo do të ndërmerreshin veprime ushtarake.
Presidenti amerikan ka shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, duke deklaruar se “ndihma është në rrugë e sipër”. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, që nga fillimi i trazirave janë vrarë të paktën 6 159 persona, mes tyre 5 804 protestues, 92 fëmijë dhe 214 persona të lidhur me qeverinë, ndërsa po hetohen edhe 17 000 vdekje të tjera të raportuara. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane deklarojnë se mbi 3 100 persona janë vrarë, shumica personel sigurie ose kalimtarë. Protestat e fundit zhvillohen në një klimë të rënduar, ndërsa autoritetet iraniane përgatiten për skenarë të mundshëm përshkallëzimi me SHBA-në. Opozita në mërgim i ka bërë thirrje Trumpit për ndërhyrje, ndërsa grupe të tjera opozitare kundërshtojnë çdo ndërhyrje të jashtme.