FIFA hyn në Gaza: 50 fusha futbolli dhe stadium kombëtar
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka shpallur një projekt madhor për Gazën, duke nënshkruar një marrëveshje partneriteti me “Bordin e Paqes” të krijuar nën udhëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump. Sipas deklaratës zyrtare, qëllimi është të përdoret fuqia e futbollit për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të krijuar një kornizë afatgjatë zhvillimi për Gazën dhe Palestinën.
Marrëveshja u firmos nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, anëtari i Bordit të Paqes Yakir Gabay, përfaqësuesi i lartë i Gazës Nickolay Mladenov dhe komisioneri i Administratës Kombëtare të Gazës, Dr. Ali Shaath. Ajo parashikon ndërtimin e 50 mini-fushave “FIFA Arena” pranë shkollave dhe zonave të banuara, pesë fushave të mëdha futbolli, një Akademie moderne FIFA me teknologji të avancuar dhe një stadiumi të ri kombëtar me kapacitet 20 mijë vende.
Përveç investimit në infrastrukturë sportive, programi synon të krijojë vende pune për popullsinë lokale, të rrisë përfshirjen e të rinjve në tregun e punës, të organizojë liga për djem dhe vajza dhe të nxisë aktivitetin ekonomik lokal. Projekti paraqitet si një nismë me dimension sportiv, ekonomik dhe social, me synimin për të mbështetur rimëkëmbjen dhe stabilitetin afatgjatë në Gaza përmes sportit.