Ish-princi Andrew lirohet pas 12 orësh në paraburgim, hetimi vazhdon
Ish-princi Andrew i Britanisë së Madhe u lirua vetëm disa orë pas arrestimit të tij, ndërsa policia konfirmoi se hetimi ndaj tij vazhdon dhe ai mbetet i dyshuar për shpërdorim të detyrës publike. Ai u mbajt në paraburgim për rreth 12 orë, ndërsa imazhe të publikuara nga Reuters e tregojnë të shoqëruar nga policia, dukshëm i tronditur dhe i përkulur në sediljen e makinës për t’iu shmangur kamerave. Arrestimi i një anëtari të familjes mbretërore britanike për një çështje të tillë konsiderohet i paprecedentë në historinë moderne të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas Policisë së Thames Valley, një burrë i moshës 60–70 vjeç nga Norfolk u arrestua me dyshimin për shkelje të detyrës dhe më pas u lirua, por mbetet nën hetim. Autoritetet konfirmuan se hetimet në Norfolk kanë përfunduar, ndërsa ato në Berkshire vijojnë. Arrestimi lidhet me dyshime se Andrew, në kohën kur shërbente si i dërguar tregtar, mund t’i ketë kaluar dokumente konfidenciale financuesit pedofil Jeffrey Epstein. Hetimi përfshin gjithashtu pretendime të mëparshme për përfshirjen e tij në takime të organizuara nga Epstein, megjithëse procedurat aktuale kanë të bëjnë vetëm me shpërdorimin e detyrës. Policia bastisi pronën Wood Farm në Sandringham, ndërsa Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe ka shprehur keqardhje për miqësinë e tij me Epstein.
Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se Andrew Mountbatten-Windsor duhet të dëshmojë para autoriteteve në Mbretërinë e Bashkuar sa i përket lidhjes së tij me ish-financierin Jeffrey Epstein. Në një intervistë me BBC-në, Starmer theksoi se “kushdo që ka informacion relevant duhet të dalë përpara”, duke shtuar se kushdo që ka informacion mbi “çdo aspekt të dhunës ndaj grave dhe vajzave” ka “detyrën të dalë përpara, kushdo që të jetë”. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk është mbi ligjin.Është një parim i hershëm dhe duhet të zbatohet në këtë rast, ashtu siç do të zbatohej në çdo rast tjetër”, tha kryeministri.