E FUNDIT/ SHBA grumbullon forcën më të madhe ushtarake që nga 2003 – A po afrohet goditja ndaj Iranit?
Shtetet e Bashkuara po përqendrojnë në Lindjen e Mesme praninë më të madhe ajrore dhe detare që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003, raportoi “The Wall Street Journal”, në një zhvillim që sinjalizon përgatitje serioze për një përballje të mundshme me Iranin. Sipas artikullit, Pentagoni ka dislokuar avionë luftarakë të avancuar, përfshirë F-35 dhe F-22, avionë mbështetës dhe mjete të komandës ajrore, ndërsa dy grupe aeroplanmbajtësesh – me kapacitete të plota sulmuese – janë vendosur ose janë në lëvizje drejt rajonit.
Raporti thekson se ky përforcim i jashtëzakonshëm ushtarak i jep Uashingtonit aftësinë për të ndërmarrë një fushatë ajrore të zgjatur kundër objektivave iraniane, nëse presidenti Donald Trump vendos të japë miratimin. Skenarët që po analizohen përfshijnë goditje intensive ndaj objekteve bërthamore dhe infrastrukturës së raketave balistike të Iranit, por edhe operacione më të gjera që mund të synojnë dobësimin serioz të strukturave të sigurisë dhe ndikimit rajonal të Teheranit.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta, megjithëse negociatat mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor kanë vazhduar në Gjenevë, përparimi ka qenë i kufizuar. Administrata amerikane kërkon jo vetëm frenimin e programit bërthamor iranian, por edhe kufizimin e kapaciteteve të raketave balistike dhe ndikimit të forcave proxy të Iranit në rajon – kërkesa që Teherani deri më tani nuk i ka pranuar.
Artikulli paralajmëron se një konflikt i mundshëm mund të zgjasë javë apo muaj dhe të ketë pasoja të thella për stabilitetin rajonal. Ndërsa prania ushtarake amerikane është rritur ndjeshëm, vendimi përfundimtar për një ndërhyrje mbetet ende në duart e presidentit Trump, i cili po shqyrton alternativat mes presionit maksimal ushtarak dhe vazhdimit të përpjekjeve diplomatike.