Lidhje


85 shtete kundër Izraelit: Dënohet plani për zgjerimin e kontrollit në Bregun Perëndimor

 

Më shumë se 80 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë dënuar planin e Izraelit për të zgjeruar kontrollin mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe për të shpallur zona të gjera të territorit palestinez si “pronë shtetërore” izraelite. Në një deklaratë të përbashkët të lexuar nga ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, në emër të 85 vendeve dhe disa organizatave ndërkombëtare, u theksua se vendimet e njëanshme të Izraelit synojnë të zgjerojnë praninë e tij të paligjshme dhe bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare, duke kërkuar që ato të zhbëhen menjëherë.

 

Në deklaratë nënvizohet kundërshtimi i fortë ndaj çdo forme aneksimi dhe refuzimi i masave që ndryshojnë përbërjen demografike, karakterin dhe statusin e territoreve palestineze të pushtuara që nga viti 1967, përfshirë Jerusalemin Lindor. Sipas nënshkruesve, këto veprime minojnë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon dhe rrezikojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t’i jepte fund konfliktit. Ndër vendet dhe organizatat që mbështetën deklaratën janë Australia, Kanadaja, Kina, Franca, Rusia, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bashkimi Evropian, Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik.

 

Reagimi ndërkombëtar vjen pas vendimit të Izraelit për të nisur regjistrimin e tokave në Zonën C të Bregut Perëndimor për herë të parë që nga viti 1967. Zona C përbën rreth 60 për qind të territorit të Bregut Perëndimor dhe konsiderohet thelbësore për çdo zgjidhje të ardhshme me dy shtete. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se ky proces mund të çojë në zhveshjen e palestinezëve nga pronat e tyre dhe të zgjerojë kontrollin izraelit mbi territorin, duke e cilësuar atë destabilizues dhe potencialisht të paligjshëm.

 

Paralajmërimet mbështeten edhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2024, e cila e shpalli të paligjshme pushtimin izraelit të Bregut Perëndimor dhe Gazës, si dhe ndërtimin dhe mirëmbajtjen e vendbanimeve izraelite në këto territore. Sipas gjykatës, rreth 465 mijë kolonë izraelitë jetojnë në mbi 300 vendbanime dhe poste në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Në një zhvillim të veçantë, mediat palestineze raportuan gjithashtu për vrasjen e një 13-vjeçari palestinez dhe plagosjen e dy të miturve të tjerë nga municione të mbetura të ushtrisë izraelite në Luginën e Jordanit.

XS
SM
MD
LG