Gjenevë/ Tensione në raundin e tretë të bisedimeve të paqes: Zelensky akuzon Rusinë për sulme para negociatave
Raundi i tretë i bisedimeve trepalëshe për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, përfundoi sot në Gjenevë pas rreth dy orësh, një javë para përvjetorit të katërt të luftës. Negociatat u ndërmjetësuan nga i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, ndërsa delegacionin rus e kryesoi ndihmësi presidencial Vladimir Medinsky. Kremlini paralajmëroi se në tryezë do të ishin edhe çështjet kyçe territoriale, të cilat Moska i konsideron thelbësore.
Delegacionin ukrainas e drejtoi sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov, i cili tha se Kievi ka një mandat të qartë nga presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe se në axhendë janë çështjet e sigurisë dhe ato humanitare. Sipas tij, diskutimet po zhvillohen në grupe pune politike dhe ushtarake, me fokus në sqarimin e mekanizmave të vendimeve të dakorduara më parë. Një ditë më parë, ai kishte zhvilluar edhe një takim të veçantë me përfaqësues amerikanë dhe evropianë, përfshirë Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë dhe Zvicrën, për të harmonizuar hapat e mëtejshëm.
Mediat ruse i cilësuan negociatat “shumë të tensionuara” dhe raportuan për kontakte të veçanta ruso-amerikane paralelisht me formatin trepalësh. Nga ana amerikane, Witkoff deklaroi se bisedimet kanë sjellë “progres domethënës” drejt përfundimit të luftës, duke theksuar rolin e Trump në bashkimin e palëve.
Megjithatë, Zelensky akuzoi Rusinë se lëshoi 29 raketa dhe rreth 400 dronë para nisjes së takimeve, nga të cilat 25 u kapën, duke theksuar se Kievi është i gatshëm për marrëveshje të drejtë, por do të mbrojë pavarësinë e vendit. Bisedimet po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe nuk pritet deklaratë e menjëhershme mbi rezultatet.