Lidhje


Emaile tronditëse me Epstein: Ish-kunata e mbretit Charles përfshiu vajzat e saj të mitura në skandal

 

Zbulimet e reja nga dosjet “Epstein” kanë rikthyer në qendër të vëmendjes familjen mbretërore britanike, duke vënë nën presion ish-dukeshen e Jorkut, Sarah Ferguson. Dokumentet e publikuara tregojnë se ajo ka vijuar kontaktet me Jeffrey Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për prostitucion me të mitura, madje e ka takuar në Miami vetëm pesë ditë pas lirimit të tij në vitin 2009. Pas daljes në dritë të këtyre fakteve, Ferguson ka vendosur të mbyllë gjashtë kompani të saj.

Sipas dokumenteve, Ferguson i kërkoi Epsteinit ndihmë financiare për shlyerjen e borxheve që arrinin në 6 milionë paundë, si dhe këshilla për bizneset e saj në vështirësi. Ajo udhëtoi drejt SHBA-së së bashku me vajzat e saj, Beatrice dhe Eugenie, në korrik 2009, me shpenzimet e mbuluara nga Epstein – mbi 14 mijë dollarë për fluturimet. Në emaile të zbuluara, ajo konfirmon takimet me të dhe me Ghislaine Maxwell, ndërsa në disa mesazhe përdor tone tepër të afërta, duke e falënderuar për “bujarinë” dhe duke e quajtur “vëllai që kam ëndërruar gjithmonë”.

Korrespondenca përfshin edhe referenca personale për vajzat e saj, atëherë 19 dhe 20 vjeç, si dhe dërgim fotografish. Në një email, Ferguson përmend detaje nga jeta private e vajzës së saj më të vogël, Eugenie. Ndërkohë, një zëdhënës i saj kishte deklaruar më herët se ajo i kishte ndërprerë lidhjet me Epstein sapo dolën në pah akuzat serioze, por dokumentet sugjerojnë një histori ndryshe. Deri tani, Beatrice dhe Eugenie nuk kanë reaguar publikisht, ndërsa analistë të familjes mbretërore thonë se zbulimet i kanë tronditur thellësisht.

XS
SM
MD
LG