Muaji i Ramazanit nën rrethim: Izraeli dislokon mijëra policë në Al-Aksa, nis përshkallëzimi i tensionit
Policia izraelite njoftoi se do të dislokojë forca të shumta sigurie rreth kompleksit të Xhamisë Al-Aksa gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili nis këtë javë, ndërsa autoritetet palestineze akuzojnë Izraelin për vendosje kufizimesh të reja në vendin e shenjtë. Sipas zyrtarit të lartë të policisë në Jerusalem, Arad Braverman, efektivët do të jenë të pranishëm “ditë e natë” në kompleksin e njohur nga hebrenjtë si Mali i Tempullit dhe në zonat përreth, ndërsa mijëra policë do të angazhohen posaçërisht gjatë faljeve të së premtes, kur pjesëmarrja e besimtarëve arrin kulmin. Ai bëri të ditur se policia ka rekomanduar dhënien e 10 mijë lejeve për palestinezët nga Bregu Perëndimor, të cilët kanë nevojë për autorizim të posaçëm për të hyrë në Jerusalem, por pa sqaruar nëse do të ketë kufizime moshe, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon qeverisë.
Ndërkohë, Guvernorati Palestinez i Jerusalemit deklaroi se është informuar se lejet do të kufizohen sërish për burrat mbi 55 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç, sipas modelit të vitit të kaluar. Autoritetet palestineze akuzojnë Izraelin se ka penguar Vakëfin Islamik – organin jordanez që administron kompleksin – të kryejë përgatitjet rutinë për Ramazanin, përfshirë vendosjen e strukturave mbrojtëse nga dielli dhe ngritjen e klinikave të përkohshme mjekësore. Një burim nga Vakëfi konfirmoi se 33 punonjës janë ndaluar të hyjnë në kompleks në javën para nisjes së muajit të shenjtë.
Kompleksi i Al-Aksës, simbol qendror i identitetit palestinez dhe një pikë e shpeshtë tensioni, ndodhet në Jerusalemin Lindor, territor i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 dhe i aneksuar më pas. Sipas marrëveshjeve të vjetra, hebrenjtë lejohen të vizitojnë zonën, por jo të falen aty, ndërsa Izraeli deklaron se është i përkushtuar për ruajtjen e këtij status quo-je. Megjithatë, palestinezët shprehin frikë se balanca ekzistuese po gërryhet, sidomos pas sfidave të hapura nga nacionalistë hebrenj të linjës së ashpër, përfshirë politikanin e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, i cili u fal në kompleks gjatë mandatit të tij si ministër i sigurisë kombëtare në vitet 2024 dhe 2025.