Alarm në Evropë! Gjermania dhe Franca nisin bisedimet bërthamore për herë të parë në histori pa praninë e SHBA-së?
Gjermania dhe Franca kanë filluar "bisedime strategjike" mbi një bashkëpunim të mundshëm për parandalimin bërthamor, tha sot një zëdhënës i qeverisë.
"Për ne situata është e tillë që duke e pasur parasysh situatën politike globale, qeveria federale pranon menjëherë domosdoshmërinë e parandalimit bërthamor dhe dëshiron ta forcojë shtyllën evropiane dhe po zhvillon bisedime strategjike me Francën për këtë qëllim", u tha Sebastian Hille gazetarëve në Berlin.
"Qëllimi i bisedimeve është të shqyrtohet se si mund të arrihet një bashkëpunim më i ngushtë mbi parandalimin bërthamor. Bisedimet janë ende në fazat e tyre të hershme dhe është e qartë se nuk priten rezultate të shpejta", shtoi ai.
Hille theksoi se diskutimet dypalëshe nuk synojnë zëvendësimin e ombrellës bërthamore të ShBA-së në Gjermani.
"Nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e mburojës mbrojtëse të ShBA-së, por për plotësimin dhe forcimin e saj. ShBA-ja luan rol qendror në parandalimin bërthamor të NATO-s. Ky është rasti tani dhe duhet të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Qeveria gjermane është e përkushtuar fuqimisht ndaj këtij qëndrimi", tha ai.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të premten se ishte në bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron në lidhje me parandalimin bërthamor, mes shqetësimeve në rritje lidhur me angazhimet e sigurisë së ShBA-së ndaj Evropës.
"Kam zhvilluar bisedime konfidenciale me presidentin francez në lidhje me parandalimin bërthamor të Evropës", tha Merz në hapjen e Konferencës së 62-të të Sigurisë në Mynih.
Ai më parë tha se ishte i hapur që Franca ta zgjerojë parandalimin e saj bërthamor në Evropë.
Gjermania, e cila nuk mund të sigurojë armët e veta atomike për shkak të detyrimeve të traktateve, tradicionalisht është mbështetur në ombrellën bërthamore të ShBA-së përmes pjesëmarrjes së saj në NATO.