Ish-kryeministri i Izraelit: Pendohem për miqësinë time me Epstein!
Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Barak, ka kërkuar falje publike për miqësinë e tij shumëvjeçare me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbuluan detaje të shumta mbi marrëdhënien e tyre të afërt. Dokumentet tregojnë për korrespondencë të rregullt mes tyre, vizita të përsëritura në apartamentin e Epstein në Manhattan dhe një vizitë në ishullin e tij privat në Ishujt e Virgjër Amerikanë.
Në një intervistë për Channel 12 në Izrael, Barak tha se mban përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tij dhe pranoi se “ka vend për të pyetur nëse nuk duhej të kishte ushtruar një gjykim më të thelluar”. Ai theksoi se nuk është implikuar në abuzimet seksuale të Epstein ndaj vajzave të mitura dhe nuk përballet me asnjë akuzë për shkelje ligjore. “Vetëm në vitin 2019, kur filloi rihetimi i plotë i çështjes, u bë e qartë gjerësia dhe thellësia e krimeve të tmerrshme të atij njeriu dhe unë ndërpreva marrëdhëniet me të,” deklaroi Barak, duke shtuar: “Ju premtoj se nuk do të zbulohet asgjë, sepse nuk ka asgjë.”
Sipas ish-kryeministrit, ai, bashkëshortja e tij Nili dhe disa roje sigurie vizituan për rreth tre orë rezidencën e Epstein në Ishujt e Virgjër, ku pretendon se panë vetëm Epstein dhe disa punonjës mirëmbajtjeje. Barak tha se ishte në dijeni të çështjes së vitit 2008, kur Epstein pranoi fajësinë për kërkim prostitucioni nga një e mitur në Florida dhe u dënua me 18 muaj burg, por kishte supozuar se ai “e kishte paguar borxhin ndaj shoqërisë”.
Dokumentet e reja tregojnë se Barak dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në kontakt të rregullt me Epstein për vite me radhë, përfshirë periudhën pas marrëveshjes së tij me prokurorët në vitin 2008. Në vitin 2013, asistentja e Epstein, Lesley Groff, organizoi një darkë me Barakun, bashkëshorten e tij dhe figura të tjera publike, përfshirë regjisorin Woody Allen. Në qershor 2019, Nili Barak i dërgoi email Epstein-it për të njoftuar shtyrjen e një udhëtimi në Nju Jork, ndërsa dokumente të tjera përmendin plane për qëndrime në rezidencën e tij në Nju Jork dhe takime të ndryshme.

Në një shkëmbim mesazhesh në vitin 2019, rreth një javë para arrestimit të Epstein, ai shkruante se po “merrej me Ehud në Izrael”, duke shtuar: “Po më çmend.” Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein e kishte lidhur Barakun me ish-këshilltarin e Donald Trump, Steve Bannon, me synimin për të organizuar takime mes tyre në vitin 2018. Bannon nuk është implikuar në asnjë shkelje lidhur me Epstein.
Lidhjet e Barakut me Epstein dolën për herë të parë në dritë shtatë vite më parë, kur ai shpalli rikthimin e tij në politikë në një përpjekje të pasuksesshme për të sfiduar Benjamin Netanyahun. Në atë kohë u zbulua se ai kishte përfituar rreth 2 milionë dollarë grante për “kërkime” nga Fondacioni Wexner, ku Epstein shërbente si administrator. Barak i minimizoi këto lidhje, duke deklaruar se Epstein “nuk më ka mbështetur dhe nuk më ka paguar”.
Epstein vdiq me vetëvrasje në vitin 2019, ndërsa ndodhej në paraburgim dhe priste gjyqin për akuza federale për abuzim dhe trafikim seksual të dhjetëra vajzave.