Inspektimet zbuluan mijëra kilogramë mish dhe nënprodukte me salmonelë, konsumatori nuk u informua

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të cilin ligji e ngarkon me përgjegjësinë për garantimin e sigurisë ushqimore, i tha emisionit “Inside Story” se ka bllokuar mijëra kg mish, qofte, kërnacka apo hamburgerë të kontaminuar me salmonelë.
Rastet e daljes në treg të produktit të kontaminuar janë konfirmuar nga AKU, e cila pranon se vetëm për 5 muajt e parë të vitit 2025 janë konstatuar 3 praktika ngarkesash me salmonelë. Fillimisht u identifikuan rreth 4.500 kg fileto e ngrirë derri, e cila fatmirësisht ishte në gjendje në subjekt, pra nuk ishte tregtuar. Subjekti u gjobit në vlerën 300 mijë lekë dhe u urdhërua asgjësimi i të gjithë sasisë problematike.
Në një tjetër rast u bllokuan 1.650 kg “qofte zgare”, si dhe 3.2 kg “mish i grirë”, për të cilat u urdhërua asgjësimi. Subjekti u gjobit me 100 mijë lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë.
“Kemi bërë përmirësime, por kemi shumë probleme në mbajtjen e dokumentacionit dhe kryerjen e inspektimeve dhe kontrolleve, që ky informacion të mbartet siç kërkohet nga ligji në të gjitha hallkat. Kjo tregon se në këtë zinxhir të prodhimit dhe magazinimit mund të ketë edhe hallka që bëhen burim kontaminimi”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.
Sipas AKU, përgjatë vitit 2023 u evidentua një rast me salmonelë, ndërsa përgjatë vitit 2024, katër raste.