Guterres në 30-vjetorin e Srebrenicës: Krimi më i keq në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore

“Ne i kujtojmë viktimat dhe i bëjmë homazh guximit të të mbijetuarve, përfshirë Nënat e Srebrenicës, përpjekja e të cilave për drejtësi siguroi që gjenocidi të njihej ligjërisht dhe historikisht”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të martën se këto ditë shënojnë 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, krimit më të keq në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa bëri thirrje për vigjilencë dhe veprim.
Në një mesazh me rastin e 11 korrikut - Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995, shefi i OKB-së, Guterres, kujtoi se në korrik të vitit 1995, më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë sistematikisht, mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar u zhvendosën me forcë dhe jetët e tyre u shkatërruan përgjithmonë.
Ai shtoi se qëllimi ishte shfarosja e myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë.
“Ne i kujtojmë viktimat dhe i bëjmë homazh guximit të të mbijetuarve, përfshirë Nënat e Srebrenicës, përpjekja e të cilave për drejtësi siguroi që gjenocidi të njihej ligjërisht dhe historikisht”, tha ai.
Ai shtoi se kjo ditë nuk është vetëm një moment për reflektim, por edhe një thirrje për vigjilencë dhe veprim.
“Në kohë të rritjes së gjuhës së urrejtjes, mohimit dhe përçarjes, ne duhet të qëndrojmë të vendosur në anën e së vërtetës dhe drejtësisë. Ne duhet të njohim shenjat e hershme paralajmëruese dhe të reagojmë para se dhuna të zërë vend. Ne duhet të respektojmë të drejtën ndërkombëtare, të mbrojmë të drejtat e njeriut, të mbështesim dinjitetin e çdo individi dhe të investojmë në pajtim dhe paqe. Le ta forcojë kujtimi i Srebrenicës vendosmërinë tonë që ‘kurrë më’ vërtet të jetë kurrë më”, përfundoi ai.