Lidhje


Izraeli ndërmerr sulme të reja ajrore në Libanin jugor

Ushtria izraelite pretendon se sulmet kishin në shënjestër objektet dhe infrastrukturën e Hezbollahut në Nabatieh.

Ushtria izraelite ndërmori një sërë sulmesh ajrore në qytetin Nabatieh të Libanit jugor mbrëmjen e së enjtes, në mes të shkeljeve të armëpushimit, raportuan mediat libaneze.

 

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, sulmet goditën zonat midis fshatrave Yahmar Al-Shuqayf dhe Deir Seryan, si dhe periferi të Zoutar al-Sharqiyah.

Ushtria izraelite deklaroi se avionët e saj luftarakë goditën “objekte ushtarake, përfshirë depo armësh, struktura ushtarake dhe infrastrukturë që i përkasin Hezbollahut.”

 

Hezbollahu nuk ka bërë ende ndonjë koment mbi këto pretendime.

Forcat izraelite kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në Libanin jugor, duke pretenduar se po godasin aktivitetet e Hezbollahut, pavarësisht armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit që u arrit në nëntor.

 

Traktati i armëpushimit u dha fund muajve të luftimeve ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit të rezistencës libaneze.

Autoritetet libaneze kanë raportuar pothuajse 3.000 shkelje izraelite të armëpushimit, përfshirë vrasjen e të paktën 225 personave dhe plagosjen e më shumë se 500 të tjerëve që nga nënshkrimi i marrëveshjes.

 

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u shty deri më 18 shkurt pasi Tel Avivi refuzoi t'i përmbushtte kushtet. Izraeli vazhdon të mbajë një prani ushtarake në pesë poste kufitare.

XS
SM
MD
LG