SHBA tërheq qindra trupa nga Siria

Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se ushtria po mbyll tre nga tetë bazat e saj të vogla operative në verilindje të Sirisë dhe po redukton nivelet e trupave në rreth 1.400 nga 2 mijë.
SHBA-ja ka filluar tërheqjen e qindra trupave nga Siria verilindore, transmeton Anadolu.
Duke cituar dy zyrtarë të lartë amerikanë, New York Times tha se ushtria po mbyll tre nga tetë bazat e saj të vogla operative në verilindje të Sirisë dhe po redukton nivelet e trupave në rreth 1.400 nga 2 mijë.
Zyrtarët thanë se komandantët amerikanë do të vlerësojnë nëse do të bëjnë shkurtime shtesë pas 60 ditësh.
Komandantët gjithashtu rekomanduan mbajtjen e të paktën 500 trupave në Siri.
Raporti thotë se presidenti Donald Trump ka shprehur "skepticizëm të thellë" për mbajtjen e trupave amerikane në Siri.
Në fund të muajit janar, Trump tha se SHBA-ja "do të vendosë" për trupat në Siri pas një raporti që pretendonte se ai synon të tërheq forcat amerikane.
“Nuk e di kush e tha këtë, por ne do të vendosim për këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
"Ne nuk jemi të përfshirë në Siri. Siria është në rrëmujën e saj. Ata kanë mjaft rrëmujë atje. Ata nuk kanë nevojë që ne të përfshihemi”, shtoi ai.
Sipas New York Times, të paktën tani për tani reduktimet që filluan së fundmi bazohen në rekomandimet e komandantëve tokësorë për mbylljen dhe konsolidimin e bazave dhe u miratuan nga Pentagoni dhe komanda qendrore.