Lidhje


Studim: Qytetet e Zelandës së Re po fundosen, rrezikohen nga rritja e nivelit të detit

Nëse kjo prirje vazhdon, rritja e nivelit të detit do të rezultojë në afër 70 centimetra në shekull, duke paraqitur një kërcënim domethënës për shumicën e mbrojtjeve të detit. 

 

 Sipas një studimi të botuar së fundmi, qytetet kryesore që ndodhen në vijat bregdetare të Zelandës së Re po fundosen në vazhdimësi dhe rrezikojnë të preken nga rritja e nivelit të detit, transmeton Anadolu.

 

Siç raporton ‘Radio New Zealand’, vijat bregdetare pranë qyteteve të mëdha në Zelandën e Re po fundosen me disa milimetra për çdo vit, me disa nga normat më të larta që ndodhin në periferitë bregdetare të qytetit Christchurch.

 

Rritja e nivelit të detit po ndodh në mbarë botën derisa oqeani zgjerohet për shkak të temperaturave të ngrohta, ndërsa akullnajat dhe shtresat e akullit polar vazhdojnë të shkrihen.

 

Ndërkohë, fundosja e tokës ndodh në shkallë rajonale ose lokale, por ajo mund të përforcojë efektet e rritjes së nivelit të detit, duke dyfishuar ose trefishuar ndikimin e saj në zona të caktuara.

 

Ky efekt i kombinuar i rritjes së nivelit të detit dhe fundosjes së tokës njihet si ngritje relative e nivelit të detit.

Studiuesit përdorën imazhe të radarëve satelitor të sipërfaqes së tokës për të fituar njohuri se cilat zona bregdetare janë më të rrezikuara, duke kërkuar matje të detajuara dhe të sakta të rrëshqitjes së tokës.

 

Studimi zbuloi se vlerësimet e rritjes relative të nivelit të detit për qytetet Christchurch, Wellington, Dunedin dhe Auckland janë afër ose tejkalojnë 7 milimetra në vit. Nëse kjo prirje vazhdon, rritja e nivelit të detit do të rezultojë në afër 70 centimetra në shekull, duke paraqitur një kërcënim domethënës për shumicën e mbrojtjeve të detit.

 

Studimi gjithashtu identifikoi pikat e nxehta të rajoneve që fundosen me shpejtësi, të cilat shpesh korrespondojnë me zonat ku toka është modifikuar, veçanërisht përgjatë bregdetit. Në shekullin e 20-të, sipërfaqe të mëdha të tokës u rikuperuan nga oqeani dhe kjo tokë e krijuar rishtazi akoma është në ngjeshje, duke çuar në një themel të paqëndrueshëm për infrastrukturën e ndërtuar në majë.

XS
SM
MD
LG