Turqia nxjerr flotën në det: 100 anije dhe 14 mijë ushtarakë në mes tensioneve me Greqinë
Turqia nisi të dielën stërvitjen e gjerë detare Denizkurdu-I/2026 (“Ujku i Detit”), në një moment kur retorika mes Ankarasë dhe Athinës është ashpërsuar sërish. Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, stërvitja do të zgjasë deri më 25 shtator dhe zhvillohet njëkohësisht në Detin e Zi, Marmara, Egje dhe Mesdheun Lindor, me pjesëmarrjen e rreth 100 anijeve, 50 avionëve dhe 14 mijë ushtarakëve.
Stërvitja përfshin forca nga Marina, Ushtria, Forcat Ajrore dhe Roja Bregdetare, me ushtrime të gatishmërisë operacionale, qitje reale dhe skenarë kompleksë. Megjithatë, 100 anijet nuk janë vendosur vetëm në Egje, por janë të shpërndara në të gjitha zonat detare ku po zhvillohet operacioni. Gjithashtu, Denizkurdu është një stërvitje e planifikuar dhe jo një mobilizim i papritur për shkak të një krize konkrete me Greqinë, ndonëse Ankaraja e lidh publikisht atë edhe me doktrinën e “Atdheut Blu”.
Tensionet u shtuan edhe nga deklaratat e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili paralajmëroi se Forcat e Armatosura dhe Roja Bregdetare turke po ndjekin me vëmendje zhvillimet në Egje dhe se çdo veprim që Ankaraja do ta konsideronte “aventuresk” do të përballej me “seriozitetin dhe forcën” e shtetit turk.
Debati lidhet veçanërisht me praninë ushtarake greke në ishujt e Egjeut. Turqia pretendon se disa prej tyre duhet të jenë të demilitarizuar sipas traktateve ndërkombëtare, ndërsa tensionet u rindezën pas vizitës së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Kastellorizo, Ro dhe Strongyli, ku ai vizitoi edhe poste ushtarake.