Lidhje


Houthit sulmojnë Riadin dhe paralajmërojnë Romën: Nuk jemi në luftë me Italinë, por avionët tuaj mbështesin sauditët

Një kolonë tymi të zi pranë aeroportit të Riadit, e dukshme në orët e para të mëngjesit, ka shënuar një tjetër përshkallëzim në konfliktin mes rebelëve Houthi të Jemenit dhe Arabisë Saudite.

 

Gjatë natës është goditur një depo e Aramco-s, kompanisë shtetërore saudite të naftës, pranë aeroportit të kryeqytetit. Zona ka rëndësi të madhe simbolike, pasi ndodhet pranë zemrës së pushtetit saudit dhe pranë Riadit, qytetit që princi i kurorës Mohammed bin Salman e ka kthyer në vitrinë të reformave të tij.

 

Qeveria saudite nuk ka dhënë ende një koment zyrtar, ndërsa nuk ka raportime për dëme të mëdha nga agjencitë ndërkombëtare që kanë zyra në Riad. Megjithatë, fakti që sulmi ka ndodhur pranë kryeqytetit saudit e bën ngjarjen veçanërisht të rëndë.

 

Sulmi vjen pas goditjes së një baze ushtarake në Taif, ku ndodheshin edhe avionë italianë. Pas kësaj, Houthit kanë përsëritur se nuk kërkojnë ta zgjerojnë luftën në rajon dhe se objektivi i tyre mbetet Arabia Saudite.

 

“Ne nuk jemi në luftë me Italinë dhe nuk dëshirojmë që ajo të përfshihet në veprime armiqësore kundër vendit tonë apo të mbështesë agresionin ndaj popullit tonë”, ka deklaruar Nasr al-Din Amer, zyrtar i lartë i autoritetit mediatik të Houthive, Ansar Allah.

 

Ai ka shtuar se Houthit janë aktualisht në luftë me “armikun saudit”, të cilin e akuzojnë se prej 12 vitesh mban nën rrethim dhe sulmon Jemenin. Por paralajmërimi ndaj Romës ishte i qartë: “Pyesim veten se çfarë bëjnë avionët italianë në Arabinë Saudite, në mbështetje të luftës së Riadit kundër nesh.”

 

Në Itali, prania e avionëve italianë në një nga zonat më të tensionuara të Gjirit ka hapur debat. Ministria italiane e Mbrojtjes ka njoftuar se po shqyrton opsione të reja operative për të garantuar sigurinë e kontingjenteve italiane në rajon.

 

Ndërkohë, pasiguria në Lindjen e Mesme mbetet e lartë. Irani, aleat i ngushtë i Houthive, ka deklaruar se shpreson në përfundimin e përplasjes mes rebelëve jemenas dhe sauditëve. Pakistani ka përmendur mundësinë e aktivizimit të paktit të mbrojtjes së ndërsjellë të nënshkruar së fundmi në Mekë me Arabinë Saudite dhe Turqinë.

 

Në terren, luftimet mes forcave qeveritare jemenase, të mbështetura nga sauditët, dhe Houthive kanë vijuar. Rebelët pretendojnë se 48 persona janë vrarë, por bilanci nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

 

Mbi të gjithë rajonin rëndon edhe konflikti më i gjerë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Teherani ka bërë të ditur se i ka dorëzuar Katarit kushtet për negociata me Uashingtonin, ku përfshihen ndalimi i sulmeve në të gjitha frontet, zhbllokimi i aseteve të ngrira dhe fundi i bllokadës detare. Tani Irani pret përgjigjen e presidentit Donald Trump. Edhe pjesa tjetër e botës bashkë me të.

 

XS
SM
MD
LG