Lidhje


Irani drejt kolapsit ekonomik: lufta i ka kushtuar 270 miliardë dollarë, nafta është bllokuar dhe riali po fundoset historikisht

 

Ekonomia e Iranit ka hasur në vështirësi tash e shumë vite për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe keqmenaxhimit administrativ. Por, gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet më 28 shkurt.

 

Infrastruktura veçse e rrënuar ishte në shënjestër të sulmeve, duke bërë që fabrika e uzina çeliku të dalin jashtë funksioni, ndërsa ura e porte të jenë të papërdorshme.

 

Edhe më keq se kaq, janë goditur objektet e naftës dhe gazit, ndërsa bllokadë e tanishme amerikane ndaj porteve iraniane e ka ndërprerë pothuajse plotësisht burimin kryesor të të ardhurave të Teheranit: paratë nga nafta.

 

Duke qenë se monedha ka rënë në nivele historikisht të ulëta kundrejt dollarit dhe ndërprerja e internetit ka paralizuar bizneset, analistët thonë se ekonomia e Iranit ndodhet tani në një territor të panjohur.

 

“Pra, nëse regjimi nuk kërkon lëshime nga SHBA-ja për ta hequr bllokadën, ekonomia do të mbetet jashtëzakonisht e dobët”, tha Jason Tuvey, zëvendëskryeekonomist për tregjet në zhvillim në Capital Economics me seli në Londër.

 

“Por, në fund, gjithçka varet nga niveli i dhimbjes ekonomike që regjimi iranian është i gatshëm ta përballojë për t’i arritur synimet e veta ushtarake dhe gjeopolitike”, shtoi ai.

 

Gjendja është përkeqësuar aq shumë saqë zyrtarët e lartë nuk mund ta mohojnë më dëmin.

 

Thuhet se guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati, i ka kërkuar presidentit Masud Pezeshkian të ndërmarrë hapa urgjentë për ta stabilizuar ekonominë, përfshirë rikthimin e qasjes së plotë në internet dhe arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Uashingtonin.

 

Zëdhënësja e Qeverisë, Fatemeh Mohajerani, ka vlerësuar se dëmet e përgjithshme në infrastrukturë dhe në pronat e banimit dhe tregtare nga lufta kapin shifrën e 270 miliardë dollarëve. Kjo shifër është nëntë herë më e lartë se i gjithë buxheti publik i Iranit për vitin 2025 dhe afërsisht 60 për qind e prodhimit ekonomik të vendit, sipas faqes ekonomike Eghtesad News.

 

Zyrtarët iranianë vlerësojnë se kostot e rindërtimit do të arrijnë në rreth 300 miliardë dollarë vetëm për infrastrukturën civile, ndërsa kosto të tjera do të vijnë nga ndërprerjet e tjera ekonomike, si humbja e bizneseve dhe nevoja për rritje të pagesave sociale.

 

Sipas Gholamhossein Mohammadi, zëvendësministër i Punës në Iran, vlerësimet paraprake tregojnë se konflikti ka çuar në humbjen e më shumë se një milion vendeve të punës dhe ka lënë dy milionë njerëz të papunë drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Koha e luftës e ka përkeqësuar edhe më shumë tregun e punës të Iranit.

Sipas së përditshmes ekonomike iraniane, Donya-e Eqtesad, pranvera është tradicionalisht sezoni kulmor i punësimit. Platforma e punësimit Iran Talent thotë se një muaj tipik pranvere prodhon rreth 65.000 vende të lira pune. Këtë vit, vendet e reja të punës kanë rënë me 80 për qind. Për çdo pesë vende pune që hapeshin pranverën e kaluar, katër tani janë zhdukur.

 

Sa i përket kërkesave për punë, shifrat janë po aq të larta. Më 5 maj, platforma e punësimit Jobvision regjistroi një rekord ditor prej 318.000 CV të dorëzuara nga punëkërkuesit, pra 50 për qind më shumë se rekordi i mëparshëm prej 212.000 sosh.

 

Hendeku midis atyre që kërkojnë punë dhe vendeve të hapura të punës nuk ka qenë kurrë më i madh.

 

Ndërkohë, analistët thonë se shkatërrimi i ekonomisë është përkeqësuar nga ndërprerja e internetit e vendosur nga shteti, tani në ditën e saj të 66-të.

 

Kjo ndërprerje i kushton ekonomisë digjitale të Iranit midis 30 dhe 80 milionë dollarë çdo ditë, duke shkatërruar tregtinë elektronike, logjistikën dhe sektorin e teknologjisë, pa përmendur sipërmarrësit e vegjël, bizneset e të cilëve janë ndalur plotësisht.

 

Në një shenjë shqetësimi në rritje, Unioni i Prodhimit dhe Publikimit të Përmbajtjes, që përfaqëson bizneset që operojnë në hapësirën digjitale, ka bërë thirrje për qasje të sigurt në internet për iranianët.

 

Në një deklaratë të formuluar me kujdes më 4 maj, unioni tha se, megjithëse mbështet vendimet e Qeverisë në kushte emergjente, çdo politikë në këtë fushë duhet të zhvillohet me pjesëmarrjen e sektorit privat.

 

“Jeta e miliona iranianëve e ndërtuar mbi baza digjitale nuk duhet të bëhet lodër e interesave përçarëse politike”, thuhej në deklaratë.

 

Riali iranian ka rënë në mënyrë të theksuar paralelisht. Monedha tani tregtohet rreth 1.9 milionë riali për vetëm një dollar në tregun e lirë, më shumë se dyfishi i vlerës së saj një vit më parë, sipas TGJU, një platformë që gjurmon tregun e arit dhe këmbimit valutor në Iran.

 

Duke qenë se të ardhurat nga nafta i janë ndalur nga bllokada detare amerikane dhe bizneset nuk janë në gjendje për të gjeneruar të ardhura të tatueshme, Qeveria përballet me një krizë strukturore financimi.

 

Duke folur për Radion Farda të REL-it, Dalga Khatinoglu, ekspert i energjisë për Iranin me bazë në Azerbajxhan, tha se Irani do të duhet ta ulë prodhimin e naftës dhe gazit nëse bllokada vazhdon, sepse po i mbaron kapaciteti i magazinimit.

 

Ai vlerësoi se, nëse bllokada amerikane vazhdon edhe për një muaj tjetër, prodhimi i naftës në Iran do të bjerë për 1.2 milion fuçi në ditë.

 

“Kjo do të jetë shumë e dhimbshme për Iranin”, tha Khatinoglu.

 

Pasojat fiskale shtrihen përtej humbjes së prodhimit.

 

Ekonomisti iranian, Majid Salimi Borujeni, duke shkruar në të përditshmen ekonomike Jahan-e-Sanat, paralajmëroi se çdo rritje e të ardhurave nga nafta për shkak të çmimeve më të larta gjatë mbylljes së Ngushticës së Hormuzit është e përkohshme dhe se kostot e rindërtimit pas luftës do ta tejkalojnë shumë atë.

 

Me mungesë burimesh të besueshme të të ardhurave, ai argumentoi se financimi monetar i deficitit – praktikisht shtypja e parasë – mund të jetë e vetmja rrugë e mbetur, një rrugë që rrezikon të përshpejtojë inflacionin që tashmë ka kaluar mbi 70 për qind. /REL

XS
SM
MD
LG